开放---[kāi fàng]---Hapje

Edicioni i tretë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës(CIIE) u hap të mërkurën në Shangai. Në fjalimin e rastit, presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje që, megjithëse pandemia COVID-19 ka shtuar faktorët e pasigurt për rritjen ekonomike botërore, Kina po përshpejton zgjerimin e hapjes, duke shtuar se prirja e hapjes dhe e bashkëpunimit të vendeve të ndryshme nuk ka ndryshuar.

Edhe pse para trysnisë së rëndë të pandemisë, edicioni i tretë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës po mbahet siç ishte planifikuar. Që nga viti 2018, kur filloi të organizohej, kjo veprimtari, si një produkt publik botëror, është bërë një platformë për blerjet ndërkufitare, nxitjen e investimeve, shkëmbimet kulturore-njerëzore dhe bashkëpunimin e hapur. Në edicionin e kësaj here, sipërfaqja e ekspozimit është rritur gati 30 mijë metra katrorë, për shkak të interesit të madh të ndërmarrjeve të vendeve të ndryshme. Vetëm në zonën e produkteve të shëndetit publik, të hapur për herë të parë, gjenden pavijonet e shumë prej kompanive më të fuqishme botërore të këtij sektori.

Në fjalimin e vet, presidenti Xi tha se Kina, duke siguruar kushtet e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, organizon sipas planit këtë veprimtari, gjë që pasqyron dëshirën e sinqertë të saj për të ndarë mundësitë e tregut dhe për të nxitur rimëkëmbjen e ekonomisë botërore.

Kreu i shtetit kinez shtoi se pandemia ka shtuar faktorët e paqëndrueshëm për zhvillimin e ekonomisë globale. Por, nga këndvështrimi historik, pavarësisht rreziqeve, fatkeqësive dhe prirjeve prapakthyese, shoqëria njerëzore ka përparur dhe do të vijojë të përparojë. Prirja e hapjes dhe e bashkëpunimit mes vendeve të ndryshme nuk ka ndryshuar. E gjithë bota duhet të bashkohet për të përballuar së bashku sfidat dhe rreziqet, të forcojë bashkëpunimin e shkëmbimet dhe të zgjerojë hapjen.

"Duhet t'i kushtojmë vëmendje nxitjes së hapjes për bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë, krijimit të besimit e jo dyshimit, bashkimit të duarve e jo goditjes me grushte, konsultimeve e jo sharjeve. Duhet t'i kushtojmë vëmendje nxitjes së hapjes me ndarje të përgjegjësive, ku vendet e mëdha dhe ekonomitë kryesore të jenë shembuj dhe vendet në zhvillim të marrin pjesë aktivisht. Duhet t'i kushtojmë vëmendje nxitjes së hapjes me qeverisje të përbashkët, duke mos lejuar unilateralizmin e proteksionizmin të prishin rendin dhe rregullat ndërkombëtare, por ta reformojmë sistemin e qeverisjes ekonomike globale me një qëndrim konstruktiv, për ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore", theksoi presidenti Xi.

Ai vuri në dukje se Kina, me një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, mbi 400 milionë prej të cilëve kanë të ardhura të nivelit të mesëm, është një treg gjigant global me mundësitë të mëdha, i cili pritet të importojë mbi 2.2 trilionë dollarë amerikanë mallra në dhjetë vjetët e ardhshëm. Mallrat e prodhuara në Kinë janë një pjesë e rëndëshme përbërëse e zinxhirit global industrial e të furnizimit.

"Kina do të ngulë këmbë në mënyrë të palëkundur në zgjerimin e hapjes së gjithanshme, duke e bërë tregun kinez një treg botëror, një treg për të gjithë, dhe duke i shtuar energjinë pozitive bashkësisë ndërkombëtare", tha Xi Jinping-u.

Sipas tij, Kina do të marrë një sërë masash të reja në këtë drejtim.

"Kina dëshiron të nënshkruajë me më shumë vende marrëveshje të standardeve të larta të tregtisë së lirë, të nxisë sa më parë firmosjen e marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), të përshpejtojë procesin e negociatave me palët përkatëse për marrëveshjen e investimeve Kinë-BE dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë Kinë-Japoni-Kore të Jugut, si edhe të forcojë shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë me zonat e tjera të tregtisë së lirë të botës me standarde të larta. Kina do të marrë pjesë aktivisht në reformën e OBT-së dhe në bashkëpunimin me organizata, si OKB, G20, APEC, BRICS etj. Gjithashtu, Kina do të ndërtojë së bashku me vendet përkatëse nismën 'Një brez, një rrugë' dhe bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit", theksoi presidenti kinez në fjalimin në ceremoninë e hapjes së CIIE-së.(Zhang Yan/Artan)