机遇---[ jī yù]---Mundësi

Në edicionin e dytë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) që u mbajt vjet, një kompani izraelite gjeti mundësi të reja zhvillimi me teknologjinë e vet të përparuar të kthimit të "ajrit në ujë". Kjo është "Watergen". Në prag të edicionit të tretë të panairit, pronari dhe kryeekzekutivi i kompanisë Michael Mirilashvili dha një intervistë për gazetarët e CMG-së në Jerusalem.

Mirilashvili e bleu "Watergen"-in tre vjet më parë. Ai ndryshoi edhe strategjinë e zhvillimit, duke i kushtuar forca studimit të teknologjisë së prodhimit të ujit prej ajrit. Në krahasim me burime të tjera , ajri ka kosto të ulët dhe është burim i përtëritshëm për prodhimin e ujit. Pajisjet e "Watergen"-it mund të përdoren gjerësisht në zyra, shkolla, trena, anije, si edhe në rastet e shpëtimeve emergjente. Ato mund të prodhojnë nga 30 në 5000 litra ujë të pijshëm në ditë. Meqenëse përmbajnë filtër pastrues, këto pajisje mund të prodhojnë ujë të pijshëm edhe në mjedise me ajër të ndotur.

Mirilashvili e kishte vizituar shpesh Kinën dhe i kishte lënë mbresa të thella zhvillimi i shpejtë ekonomik dhe mundësitë gjigante të tregut kinez. Në edicionin e dytë të CIIE-së, kompania e tij gjeti mundësi të reja për zgjerimin e biznesit të vet.

"Vjet morëm pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës. Produktet tona u bënë përshtypje disa kompanive të tjera pjesëmarrëse, të cilat u mahnitën nga projekti i zgjidhjes që ofrojmë. Gjithashtu, edhe fjalët e presidentit kinez Xi Jinping në ceremoninë e hapjes së panairit, që numri i banorëve me të ardhura të mesme në Kinë është më i madhi në botë, më bënë përshtypje të thellë. Ai kujdeset për cilësinë e jetës së banorëve dhe është i mendimit se kërkesat e tyre duhet të përmbushen. Për ne, Kina tani është tregu më i madh në botë dhe shpresojmë të bëhemi pjesë e tij", tha Mirilashvili.

Michael Mirilashvili

Michael Mirilashvili

Sipas tij, në edicionin e vjetshëm të CIIE-së, "Watergen"-i tërhoqi interesin e mbi 200 kompanive kineze për bashkëpunim. Biznesi i kompanisë ka pasur zgjerim të shpejtë dhe tani ajo ka krijuar seli në Shangai për mbarë Kinën.

"Pas pjesëmarrjes në edicionin e dytë të CIIE-së, kemi krijuar fabrikën e parë në Kinë, e cila ka nisur funksionimin. Tani po përgatitemi të ndërtojmë të dytën afër Shangait. Megjithatë, këto nuk mjaftojnë dhe do të ndërtojmë më shumë. Ne jemi të mendimit se Kina është një ndër tregjet më të rëndësishme të botës dhe po rritet në mënyrë të pandërprerë. CIIE-ja na ka sjellë ndikime shumë pozitive dhe ne shprehim një falënderim të madh për pjesëmarrjen në edicionin e vjetshëm. Ekspozita të tilla mund të forcojnë lidhjet ekonomike dhe politike midis vendeve të ndryshme", shprehet Michael Mirilashvili.

Për shkak të pandemisë, ai nuk mund të marrë pjesë në panairin real në terren në Shangai sivjet dhe për këtë i vjen keq. Megjithatë, ai ka besim në organizimin e suksesshëm të ekspozitës, në bazë të gjallërisë dhe mundësive të tregut kinez.(Zhang Yan/Artan)