新疆---[xīn jiāng]---Xingjiang

Në Simpoziumin e 3-të të Punës për Xinjiang-un të Komitetit Qendror të PKK-së të mbajtur së fundmi, udhëheqësi i lartë i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm, duke përmbledhur në mënyrë të gjithanshme arritjet e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Xinjiang-ut që nga Simpoziumi i 2-të i Punës për Xinjiang-un në vitin 2014. Ai shpjegoi se strategjia qendrore e partisë në pushtet për qeverisjen e Xinjiang-ut ka bërë rregullime gjithëpërfshirëse për ruajtjen e stabilitetit shoqëror afatgjatë në Xingjiang. Fjalimi i Xi-së jo vetëm që vuri në dukje drejtimin e zhvillimit të ardhshëm të Xingjiang-ut, por edhe rriti shumë besimin e banorëve vendorë për një jetë më të mirë, duke i treguar gjithashtu botës se skema për të ashtuquajturin "kontrollim i Kinës nëpërmjet Xinjiang-ut" nga disa politikanë amerikanë përfundimisht do të dështojë.

Mund të vihet re se, nga paragjykimi ideologjik dhe presioni i brendshëm i zgjedhjeve, disa politikanë amerikanë sajojnë të gjitha llojet e gënjeshtrave lidhur me Xingjiang-un nën maskën e "të drejtave të njeriut", shpifin mbi strategjinë e Kinës për të qeverisur Xingjiang-un, provokojnë marrëdhëniet ndërmjet kombësive kineze dhe shtrembërojnë arritjet e zhvillimit të Xingjiang-ut. Të gjitha këto bëhen në përpjekje për t'i përdorur për përfitime personale dhe për të krijuar çrregullime në Kinë. Atëherë, cila është gjendja e zhvillimit të Xingjiang-ut? Në fjalën e tij, presidenti Xi Jinping përdori të dhëna të hollësishme për të hedhur një vështrim të gjithanshëm në aspektet e zhvillimit ekonomik, jetesës së njerëzve, zbutjes së varfërisë dhe ndihmës në Xingjiang.

Nga viti 2014 deri në 2019-n, GDP-ja e Xingjiang-ut u rrit me një normë mesatare vjetore prej 7.2 %, më e lartë se mesatarja kombëtare; të ardhurat e disponueshme të banorëve për frymë u shtuan me një normë mesatare vjetore prej 9.1 %; ndërsa niveli i varfërisë ra nga 19.4% në 1.24%. Pritet që varfëria të zhduket plotësisht deri në fund të vitit 2020. Qeveria qendrore e ka mbështetur Xingjiang-un me gjithsej mbi 2 trilion juanë në 6 vjet, dhe 19 provinca dhe qytete Kinës kanë investuar 96.4 miliardë juanë në ndihmë të Xinjiang-ut (përfshirë Korpusin e Prodhimit dhe të Ndërtimit).

Si një rajon që ka vuajtur nga dhuna dhe terrorizmi, stabiliteti afatgjatë në Xingjiang është parakushti themelor për zhvillimin e tij. Falë strategjisë së partisë qeverisëse të Kinës për të qeverisur Xingjiang-un, në këtë rajon nuk ka pasur incidente të dhunshme terroriste për më shumë se tre vjet rresht, dhe njerëzit kanë shijuar plotësisht "frytet e stabilitetit". Për shembull, lidhur me sektorin e turizmit, shtyllë e ekonomisë vendore, Xingjiang-u priti 213 milion turistë vendas dhe të huaj në vitin 2019 dhe arriti të ardhura nga turizmi prej 363.262 miliardë juanësh.

Nga ana tjetër, zhvillimi është një themel i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të Xinjiang-ut. Në simpozium, presidenti Xi vuri në dukje se çelësi i zhvillimit të Xingjiang-ut qëndron në epërsinë e vendndodhjes së tij dhe integrimin e ngushtë të hapjes së tij me hapjen e vendit. Kjo ka sqaruar fokusin për zhvillimin e ardhshëm të Xingjiang-ut. Si zona kryesore e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, në Xingjiang aktualisht funksionojnë më shumë se 3700 trena ekspres Kinë-Europë, me një normë mesatare të rritjes vjetore prej mbi 80 %. Në të njëjtën kohë, Xinjiang-u ka hapur shërbime ajrore me 17 vende, 25 qytete ndërkombëtare (rajonale) dhe 88 qytete të brendshme, dhe ka ndërtuar rrjetin më të dendur rajonal të aviacionit në Kinë. Në të ardhmen, me nxitjen e përshpejtimit të krijimit të një modeli të ri zhvillimi në Kinë, epërsitë gjeografike të Xingjiang-ut do të bëhen padyshim më të spikatura dhe niveli i hapjes ndaj botës së jashtme do të shtohet më tej.

Sidoqoftë, disa politikanë amerikanë gjithmonë i mbyllin sytë përpara arritjeve të zhvillimit të Xingjiang-ut. Ata mbajnë "syze të errëta" dhe përdorin maskën e të drejtave të njeriut, kombësisë dhe fesë për të shtrembëruar dhe përbaltur këto arritje në mënyrë që të arrijnë motivet e tyre të fshehta. Në debatin e përgjithshëm mbi çështjet përkatëse në sesionin e 45-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, të mbajtur më 25 shtator, përfaqësues të shumë vendeve folën në mbështetje të Kinës për çështjen e Xinjiang-ut, duke u kërkuar vendeve përkatëse të respektojnë faktet themelore mbi çështjet që lidhen me Xinjiang-un dhe të ndalojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës.

Pa dyshim, bashkësia ndërkombëtare i ka parë qëllimet e mbrapshta të disa politikanëve amerikanë që bëjnë shumë zhurmë për çështjet e Xinjiang-ut dhe madje përkrahin hapur kaosin në Xingjiang. Këta politikanë janë të paskrupullt në dëshirën e tyre që Xingjiang-u të kthehet në kthetrat e terroristëve, dhe për të ndarë e trazuar Kinën. 1.4 miliard kinezë kurrë nuk do ta lejojnë një gjë të tillë!(Vera/Artan)