合作---[ hé zuò]---Bashkëpunim

Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së

Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së

Vendet anëtare të OKB-së duhet "të bëjnë të gjitha përpjekjet për të shmangur ndarjen dhe konfliktet", u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në një videokonferencë me liderët që morën pjesë në debatet e përgjithshme të sesionit të 75-të të Asamblesë së OKB-së. Kjo është hera e parë në historinë e OKB-së që një mbledhje e tillë u organizua në mënyrë virtuale.

Sipas të dhënave të publikuara po atë ditë nga Universiteti “Johns Hopkins”, numri i vdekjeve nga COVID-19 në ShBA i kaloi 200 mijët. Megjithatë, presidenti amerikan vijoi kritikat pa bazë dhe përbaltjen me gënjeshtra kundër Kinës për interesat e veta politike.

Lidhur me fjalimin e palës amerikane, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun, shpreh kundërshtim të fortë, duke hedhur poshtë akuzat keqdashëse ndaj vendit të tij. "Tani bota ka më shumë nevojë për solidaritet e bashkëpunim dhe jo për kundërvënie. Ne duhet të shtojmë besimin e ndërsjellë dhe jo të përhapim ‘virusin politik’. Faktet kanë treguar se unilateralizmi dhe veprimet hegjemoniste, që shkojnë kundër prirjes historike, me siguri do të dështojnë ", tha z. Zhang.

Zhang Jun, përfaqësuesi i Kinës në OKB

Zhang Jun, përfaqësuesi i Kinës në OKB

Sipas tij, një gënjeshtër pavarësisht sa herë përsëritet, nuk bëhet e vërtetë. Akuzat e palës amerikane nuk kanë asnjë bazë faktike dhe nuk mund të mashtrojnë të tjerët. "Epidemia e koronavirusit ndodhi papritur dhe Kina ishte e para që u godit prej saj. Kina, me sakrifica dhe përpjekje kolosale, e ka vënë nën kontroll përhapjen e virusit. Kemi mbajtur gjithmonë qëndrim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm, duke u raportuar OBSh-së dhe vendeve të ndryshme informacionet e fundit, duke ndarë përvojat mjekësore dhe duke u ofruar ndihmë shumë vendeve, përfshirë ShBA-në. Kontributi i rëndësishëm që ka dhënë Kina për luftën globale antiepidemike, ka fituar vlerësime të gjera në bashkësinë ndërkombëtar. Këto janë fakte të pamohueshme", shtoi përfaqësuesi i Kinës në OKB.

Nga ana e tij, zëdhënësi i diplomacisë kineze Wang Wenbin vuri në dukje se përsëritja e akuzave pa bazë të palës amerikane ndaj Kinës synon heqjen e përgjegjësisë nga vetja për trajtimin e dështuar të epidemisë dhe është një përpjekje e kotë. Ai vuri në dukje se sulmimi nga pala amerikane i OBSh-së dhe tërheqja nga kjo organizatë kanë rrezikuar bashkëpunimin ndërkombëtar kundër virusit dhe do të dëmtojnë interesat e popujve të ndryshëm, duke sjellë një kosto të lartë edhe për vetë popullin amerikan. Sipas zëdhënësit, gjëja e drejtë që duhet të bëjë ShBA-ja, është të ndalojë manipulimin politik, të heqë dorë nga etiketimi e politizimi i virusit dhe të luftojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar, jo të shfajësohet dhe të përbaltë të tjerët. "I sugjerojmë palës amerikane të ndalojë lojën politike, të heqë dorë prej unilateralizmit dhe të zbatojë përgjegjësinë e duhur ndaj botës", tha Wang.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, pasi ShBA-ja shpërfilli bashkëpunimin ndërkombëtar, duke u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimin e klimës e traktakti bërthamor i Iranit, si edhe nga organizatat ndërkombëtare si Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së e OBSh-ja, Kina është bërë mbështetëse e vendosur e multilateralizmit.

Thirrja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për shmangien e kundërvënieve dhe shtimin e bashkëpunimit gjeti jehonë edhe ndër liderët e vendeve të ndryshme. Presidenti indonezian Joko Widodo u shpreh se të gjitha vendet duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të përballuar pandeminë e COVID-19. Sipas tij, nëse acarohen konfliktet gjeopolitike, do të cenohen stabiliteti dhe paqja botërore. E vetmja rrugë për të trajtuar epideminë është bashkëpunimi i vendeve të ndryshme, sepse nga ndarja asnjë vend nuk mund të përfitojë, theksoi presidenti i Indonezisë. Homologu i tij rus Vladmir Putin tha se lufta kundër epidemisë kërkon prej vendeve të ndryshme t’i kushtojnë vëmendje rolit të OBSh-së dhe bashkëpunimit të koordinuar.

Në fjalimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u shpreh: "Bota jonë nuk është në gjendje të përballojë një ndarje midis Kinës dhe ShBA-së. Mosmarrëveshjet ndërkombëtare mbi teknologjinë e ekonominë mund të shndërrohen në konflikte gjeostrategjike dhe ushtarake. Duhet të përpiqemi me të gjitha mundësitë për të shmangur një gjë të tillë ".

Guterres-i ritheksoi edhe rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar dhe i nxiti vendet anëtare të jenë të kujdesshme para pandemisë. Kreu i OKB-së theksoi se epidemia ka zbuluar brishtësinë dhe pabarazitë e botës, duke shkaktuar një krizë të paparë shëndetësore dhe humbje të rënda ekonomike pas "Recesionit të Madh". Ai u bëri thirrje vendeve të ndryshme të veprojnë duke u mbështetur te shkenca. "Në një botë të ndërlidhur, duhet të kuptojmë një gjë të thjeshtë, që bashkimi është ndihmë ndaj vetes. Nëse nuk e kuptojmë këtë, të gjithë do të vuajmë", tha numri një i OKB-së.