经济体---[ jīngjìtǐ]--- Ekonomi

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) me seli në Paris publikoi të mërkurën raportin e vet të ri për perspektivën e ekonomisë botërore, ku bëhen parashikime për rritjen e ekonomive kryesore sivjet dhe vitin tjetër. Sipas raportit, Kina do të jetë e vetmja ekonomi kryesore në botë që do të realizojë rritje sivjet.

Lidhur me këtë, drejtorja e Zyrës për Kinën e OECD-së, Margit Molnar, u shpreh se Kina ka frenuar në mënyrë efektive përhapjen e koronavirusit, gjë që e ka ndihmuar në rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike, duke qenë arsyeja kryesore pse organizata e saj e ngriti në mënyrë të ndjeshme parashikimin për ekonominë kineze.

"Ndër vendet për të cilat kemi bërë parashikime, Kina është e vetmja që mund të ketë rritje ekonomike. Pse? E para është baza statistikore. E dyta është se, ndër këto vende, Kina është e vetmja që e ka mbajtur nën kontroll epideminë. Për këtë shkak, ajo ka pasur rimëkëmbje të shpejtë në fusha të ndryshme. Prandaj, qoftë shifrat e gjysmës së parë të vitit, ashtu edhe ato të korrikut a gushtit kanë rikonfirmuar prirjen e mëkëmbjes. Prandaj, këtë herë, e kemi ngritur me më shumë se katër pikë përqindjeje (parashikimin për ekonominë kineze) në krahasim me parashikimin e fundit të bërë në qershor", tha znj. Molnar.

Sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës, shumë nga treguesit e brendshëm ekonomikë janë futur në fazën e rritjes për herë të parë sivjet. Analistët janë të mendimit që kjo tregon se ekonomia kineze ka hedhur bazë të shëndoshë për rimëkëmbjen e saj. Për mundësinë e ruajtjes së rritjes në dy tremujorët e fundit të sivjetshëm, Molnar-i dha një përgjigje pohuese:

"Mendoj se ka mundësi për vijimin e kësaj prirjeje, madje për tejkalimin e parashikimit, sepse ka një ndryshim të madh në strukturën ekonomike. Për shembull, po shohim një përqindje më të madhe të industrive të teknologjisë së informacionit e të të softuerëve, si edhe të sektorit financiar. Në saje të një ndryshimi të tillë, mendoj se ka mundësi që rezultati t'i tejkalojë parashikimet" .

Lidhur me rëndësinë e rigjallërimit të ekonomisë së dytë më të madhe në botë ndaj vendeve dhe rajoneve të tjera, drejtorja e Zyrës për Kinën e OECD-së tha se ka vende që kanë përfituar nga rimëkëmbja e Kinës. Sipas saj, tani për tani rritja e ekonomisë kineze favorizon vendet që eksportojnë lëndë të para, duke përfshirë burime natyrore, çelik, bakër etj., si dhe ato që prodhojnë qarqe të integruara etj.