健康---[jiàn kāng]---Shëndet

19 gushti është Dita e Mjekëve e Kinës. Tema kryesore e kësaj dite sivjet është “Promovimi i frymës kundër epidemisë, mbrojtja e shëndetit të popullit”. Gjatë luftës kundër epidemisë së koronavirusit të tipit të ri, punonjësit mjekësorë të Kinës jo vetëm kanë mbrojtur shëndetin e popullit kinez, por edhe kanë shkuar në vendet në nevojë për t’i ndihmuar në luftën kundër epidemisë. Sipas statistikave, pas shpërthimit të epidemisë, Kina ka ndarë me vendet e ndryshme të botës dhe mbi 10 organizata ndërkombëtare e rajonale protokollin e parandalimit, të kontrollit dhe të mjekimit të epidemisë dhe ka dërguar dhjetëra ekipe mjekësore në Itali, Serbi, Kamboxhia, Peru etj.

Shumë italianë përshëndetën ekipet e ndihmës mjekësore të Kinës. Drejtuesi i ekipit të parë të ndihmës, shefi i repartit të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe të kujdesit për raste kritike në spitalin "Huaxi" të provincës Sichuan Liang Zongan kujton:

“Kudo ku shkuam, shumë italianë na përshëndetën. Një vajzë italiane vizatoi një pikturë, ku mjekë të të dy vendeve mbajnë së bashku hartën e Italisë.”

Në Serbi, për ta nderuar kontributin e ekipit mjekësor kinez, Ministria serbe e Mbrojtjes i dha këtij ekipi medaljen më të lartë të nderit. Drejtuesi i ekipit mjekësor kinez Peng Zhiqiang tha:

“Kjo ishte jo vetëm mirënjohje për punën tonë, por edhe simbol i miqësisë së ngushtë ndërmjet dy vendeve.”

Duke komentuar për ndihmën e ekipit mjekësor kinez, ministri i Jashtëm i Bangladeshit Abdul Momen u shpreh se, për të ndërtuar një botë më të bukur, nevojitet më shumë bashkëpunim dhe partneritet:

“Unë e përshëndet përzemërsisht ekipin mjekësor kinez. Është e pamundur që një vend ta përballojë i vetëm gjendjen epidemike. Vendet e ndryshme duhet të bashkëpunojnë për të arritur fitoren përfundimtare të luftës kundër epidemisë.”

Krahas kësaj, ekipet e ndihmës mjekësore afatgjatë të Kinës në 56 vende po i ndihmojnë ato të zhvillojnë punën parandaluese e kontrolluese të epidemisë.

Duke vënë në jetë konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, punonjësit mjekësorë kinezë po luajnë rol aktiv në luftën globale kundër epidemisë. (Fani)