浪费---[làng fèi]---Shpërdorim

Ditët e fundit presidenti kinez Xi Jinping udhëzoi që të forcohet kursimi dhe të mos shpërdorohet ushqimi. Lidhur me këtë, nismëtari i Fushatës “Shpërdorim Zero” në Itali, profesori i Universitetit të Bolonjës Andrea Segrè, u shpreh se aksioni kinez kundër shpërdorimit të ushqimit ka domethënie pozitive. Prof. Segrè theksoi miratimin e vet të fuqishëm për një aksion të tillë:

“Mendoj se ky është një lajm pozitiv. Kina është një vend i rëndësishëm jo vetëm në fushën ekonomike e bujqësore, por çdo nismë e saj ka edhe ndikim në mbarë botën. 29 shtatori i këtij viti do të jetë Dita e 1-rë Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Humbjen dhe Shpërdorimin e Ushqimit. Aksioni i ndërmarrë nga Kina është në përgjigjje ndaj kësaj dite të përcaktuar nga FAO-ja.”

Që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, profesori Segrè filloi të studiojë problemin e shpërdorimit të ushqimit, duke krijuar sistemin e “tregut të minutës së fundit” në ndihmë të njerëzve në nevojë nëpërmjet riciklimit të ushqimeve. Ai zbuloi se, në krahasim me prodhimin dhe qarkullimin, shpërdorimi i ushqimit është më i madh gjatë konsumit, prandaj në vitin 2010 nisi në Itali Fushatën “Shpërdorim Zero”, që gjatë kësaj periudhe 10-vjeçare, ka pasur rezultate të dukshme. Profesori Segrè tha:

“Sipas statistikave të publikuara më 5 shkurt, vëllimi i shpërdorimit të ushqimit në familjet italiane është ulur për herë të parë. Gjatë karantinës për shkak të epidemisë, shpërdorimi i ushqimit në familje u pakësua më tej, sepse njerëzit u detyruan t’i kushtojnë vëmendje përdorimit efektiv të ushqimit. Nëse vazhdon një prirje e tillë, kjo do të jetë një kthesë e rëndësishme në pakësimin e shpërdorimit të ushqimit në Itali.”

Sipas një sondazhi, në dhjetë vjetët e fundit, 68 % e italianëve kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje problemit të shpërdorimit të ushqimit dhe rreth gjysma e popullsisë kanë ndërmarrë veprime për pakësimin e një dukurie të tillë. Profesori Segrè është i mendimit se arsimi dhe propagandimi janë mënyra të rëndësishme për pakësimin e shpërdorimit të ushqimit, duke shtuar se veçanërisht duhet të bëhet ndërgjegjësimi i fëmijëve kundër shpërdorimit të ushqimit.

“Ne kemi vazhduar të shpallim projektin e ‘edukimit ushqimor’ në shkolla, veçanërisht në ato fillore, me qëllim që fëmijët dhe të afërmit e tyre të kuptojnë vlerën e vërtetë të ushqimit, duke shmangur shpërdorimin e tij,” theksoi profesor Segrè. (Fani)