批评---[pīn yīn]---Kritikë

Të shtunën, në kuadër të sesionit të 44-t të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Shoqata e Kërkimeve për të Drejtat e Njeriut e Kinës dhe organizata joqeveritare venezuliane Këshilli Botëror i Paqes organizuan së bashku një seminar virtual mbi racizmin në Shtetet e Bashkuara. Seminari u transmetua drejtpërdrejt në platforma të shumta të mediave sociale dhe u pa në internet nga më shumë se 4 000 njerëz në mbarë botën.

Alfred de Zayas, ish-ekspert i pavarur i Këshillit të të Drejtave të Njeriut për demokracinë dhe rendin e ndershëm ndërkombëtar, avokati amerikan Mark Burton, përfaqësuesja e organizatave joqeveritare venezueliane Lucrecia Hernandez, dekani ekzekutiv i Institutit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit të Wuhan-it Zhang Wanhong, kreu i Departamentit të Menaxhimit të Kërkimeve Shkencore pranë Universitetit Jugperëndimor të Shkencave Politike dhe Drejtësisë Zhou Li etj., vunë në dukje problemet e racizmit sistemor në Shtetet e Bashkuara përmes videove, fotografive dhe të dhënave të hollësishme. Ata i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nxisë Shtetet e Bashkuara të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe të kryejnë reforma strukturore për të eleminuar racizmin sistemor.

Alfred de Zayas tha se vdekja e të riut afro-amerikan George Floyd nuk është e pazakontë në Shtetet e Bashkuara, ai është vetëm një nga viktimat e përdorimit të tepërt të forcës nga policia. De Zayas u shpreh se lëvizja që shkaktoi kjo vrasje nuk do të zgjidhë thelbësisht padrejtësinë, racizmin, pandëshkueshmërinë dhe kulturën e dhunës në shoqërinë amerikane. Autoritetet amerikane do të marrin vetëm masa reagimi ndaj pasojave dhe jo për ta zgjidhur nga rrënjët problemin.
 
 Avokati Mark Burton tha nga ana e tij se problemi i diskriminimit racial në Shtetet e Bashkuara është i ngulitur thellë. Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar historikisht gjenocid ndaj indianëve, kanë miratuar famëkeqin "Ligj i Përjashtimit" dhe kanë vendosur një numër të madh aziatikësh në "kampe përqendrimi" gjatë Luftës së Dytë Botërore. Deri më tani, sistemi gjyqësor amerikan nuk ka arritur të marrë masa efektive për të mbrojtur afroamerikanët dhe pakicat e tjera. Miratimi i një rezolute nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut për çështjen e diskriminimit racial dhe dhunës policore në Shtetet e Bashkuara është hapi i parë që komuniteti ndërkombëtar të nxisë Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur problemet e mësipërme.
 Lucrecia Hernandez vuri në dukje se racizmi i “epërsisë së bardhë” në Shtetet e Bashkuara është thellësisht i ngulitur. Racizmi është i përhapur në sistemin gjyqësor dhe në sistemin e zbatimit të ligjit dhe zbatimi i dhunshëm i ligjit dhe pandëshkueshmëria janë dukuri të zakonshme, duke shkelur seriozisht ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe Deklaratën e Durbanit. Ajo u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara për të zbatuar kërkesat e rezolutave të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar që autorët e shkeljeve të shpallen përgjegjës.
  Zhang Wanhong tha nga ana e tij se, nga Ligji i Përjashtimit të Kinezëve deri në epideminë e koronavirusit të ri, aziatiko- amerikanët në Shtetet e Bashkuara kanë pësuar ngacmime, përjashtim dhe diskriminim strukturor të vazhdueshëm. Gjatë epidemisë, stigmatizimi dhe diskriminimi kundër aziatiko-amerikanëve minuan atmosferën e solidaritetit ndërkombëtar dhe bashkëpunimit antiepidemik, vonuan përpjekjet globale për t'iu përgjigjur epidemisë dhe bënë që bota të paguajë një kosto më të madhe jetësh njerëzore. Aziatiko-amerikanët duhet të bashkohen me afro-amerikanët dhe pakicat e tjera për të mbrojtur të drejtat e pakicave në ShBA.
  Ndërsa Zhou Li u shpreh se ka të meta legjitimiteti në strukturën institucionale dhe sistemin e vlerave në Shtetet e Bashkuara. Probleme si “epërsia e bardhë, dhënia përparësi interesave të kapitalit, “demokracia e dyfishtë” etj. kanë çuar në diskriminim racial, shkeljen e të drejtave të imigrantëve dhe prirjen e forcimit të konservatorizmit dhe të së djathtës, duke sjellë paqartësi për paqen botërore. Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë dhe të pranojnë diversitetin, të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe të marrin menjëherë masa për zgjidhjen e çështjeve përkatëse. Mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të mbajë parasysh plotësisht diversitetin, dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’ua imponojnë vlerat e veta vendeve të tjera. (Vera)