Zhvillimet demografike tregojnë se popullsia e Shqipërisë po zvogëlohet, ndërkohë që struktura e saj tregon se popullsia po shkon drejt plakjes. Ekspertët e INSTAT shpjegojnë se kjo si pasojë e rritjes së jetëgjatësisë, si dhe nga ana tjetër e lindshmërisë, e cila vazhdon të jetë nën nivelin e zëvendësimit.
Pensionistë në park (RD)
Nëse në vitet 1990 një çifti në moshë pune i duhet të kujdesej për 3-4 fëmijë dhe dy të moshuar, tani një çifti i duhet të kujdeset për më shumë se dy të moshuar dhe më pak se dy fëmijë. Aktualisht Shqipëria radhitet në ato vende ku popullsia në moshë pune (15-64) vjeç ka më shumë në varësi të rinj të moshës (0-14) vjeç se sa të moshuar mbi moshën 64 vjeç, por kjo varësi po ndryshon me shpejtësi.
Në Shqipëri së fundmi struktura e popullsisë po zhvendoset me shpejtësi nga moshat e reja tek ato të vjetra.
Shtesa natyrore e popullsisë ka pësuar rënie gjatë dy viteve të fundit, kjo kryesisht si pasojë e rënies së numrit të lindjeve.
Gratë në Shqipëri po lindin gjithmonë e më pak fëmijë, duke ngadalësuar shtesën natyrore të popullsisë.
Lidhur me këtë dukuri sociologu Gëzim Tushi, e cilëson në media shoqërinë shqiptare si “shoqëri me flokë të thinjur”
“Struktura e shoqërisë shqiptare ka tre dekada që ka filluar të ndryshojë në mënyrë radikale dhe në një fare mënyre është një tendencë e dukshme, eruptive e plakjes së popullsisë që do të thotë një prishje e raportit demografik midis popullsisë në moshë të re dhe të vjetër. Prandaj unë them se shoqëria shqiptare ka filluar të bëhet “shoqëri me flokë të thinjur”, për arsye se po rritet pesha demografike e të moshuarve, për shkak të rënies së natalitetit. Në vitet 90-të kemi qenë një shoqëri që e kishim për krenari kombëtare se kishim moshën më të re në Europë. Në këtë periudhë në Shqipëri mosha mesatare ka qenë 27 vjeç dhe numri i fëmijëve, në konceptin e moshësh shkollore ka qenë 1 milion e 500 mijë, kurse tani janë diku te 450 mijë. Këto janë shifra sintetike që flasin për rënien e popullsisë në tërësi dhe të popullsisë së re në veçanti”, shprehet sociologu Tushi.
Popullsia mbi 80 vjeç në Shqipëri (Monitor)
Plakja e popullsisë në Shqipëri ka disa arsye, të cilat i veçon dhe sociologu.
“ Kjo ka shumë arsye. Është emigracioni që zë një pjesë të rëndësishme sepse sikurse dihet ata që emigrojnë janë pjesa e popullsisë vitale dhe riprodhuese, sepse është mosha 25-45 vjeç që ka peshën kryesore të emigrantëve. Por nuk është vetëm kjo. Ka edhe shumë arsye të tjera sikurse është rënia e numrit të martesave, shtimi i monofamiljeve, rritja e numrit të divorceve, apo arsye të tjera ekonomike. Një faktor shumë i rëndësishëm është dhe modernizimi i jetës sociale. Është një ligj i përgjithshëm sociologjik që sa më shumë rritet niveli arsimor dhe kulturor bie numri i lindjeve, sepse garantohet planifikimi dhe në familjen e sotme moderne lindja e fëmijëve nuk është më prioritet sikurse ka qenë për familjen tradicionale shqiptare”, thotë sociologu Gëzim Tushi.
Plakja e popullsisë ka ndryshuar tërësisht strukturën e popullsisë shqiptare në 20 vitet e fundit, duke e moshuar atë, si dhe duke e bërë më të prekshme nga problemet shëndetësore dhe së fundi nga pandemia.
Krahasuar me vitin 2001 aktualisht grupmosha nga 0-44 vje- ka rënë me 27%, ndërsa ajo mbi 45 vjeç është rritur me 52%, njofton Instat. Në vitin 2020 numri i 80 vjeçarëve në Shqipëri ishte 82 mijë, ndër të cilët 53% janë femra për shkak se grate jetojnë mesatarisht 3-4 vjet më shumë se burrat, sipas Institutit të Statistikave. Në këtë rritje ka ndikuar dhe rritja e jetëgjatësisë në vend.
Popullsia e Shqipërisë u tkurr me 16 mijë persona gjatë vitit 2020. Rënia me 0.6 për qind krahasuar me vitin 2019, raportohet nga Instituti i Statistikave i cili fiksoi në datën 1 janar 2021, 2.829.741 banorë. Grafiku i uljes së numrit të popullsisë, vazhdon prej vitit 1990 dhe nuk po shënon thyerje. Kjo prirje shoqërohet edhe më atë që konsiderohet plakje e ngadaltë e popullsisë, ku mosha mesatare mbërriti në 37.2 vjeç.
Popullsia sipas grupmoshave (Instat)
Raportet lindje-vdekje-migracion tregojnë se në 10 qarqe numri i banorëve u tkurr nga 1000 deri në 4000, ndërsa Tirana e Durrësi shënuan rritje. E parë në hartë, më shumë se gjysma e banorëve e kanë lidhur jetën në 3 nga 12 qarqet të vendit. Sa i përket rajoneve të tjerë, pesë prej tyre zënë 2 % deri 5 % të popullsisë gjithsej.
Popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas projeksioneve të përditësuara, llogaritet të jetë 2.745.996 banorë. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë në vitin 2011.
Eda Merepeza