Teknologjitë e shumta “të zgjuara” që dalin pandërprerë në epokën digjitale kanë lehtësuar jetën e shumë njerëzve në Kinë. Me një celular, ata mund të blejnë gjëra të ndryshme, të rezervojnë, të porosisin ushqim, të kryejnë transaksione bankare, pra të bëjnë një jetë pa para në dorë. Por kjo ka larguar edhe shumë të moshuar nga bota moderne.
Njerëzit nga 60 vjeç e lart përcaktohen si të moshuar sipas ligjit kinez. Sipas të dhënave statistikore, deri në fund të vitit të kaluar, numri i të moshuarve në Kinë i kaloi 253 milionët, duke përbërë 18.1 % të popullsisë së përgjithshme. Ndërsa, ndër 940 milionë përdorues të internetit, vetëm 10.3 % janë të moshuar.
“Doja të mësoja të përdorja pajisjet ‘e zgjuara’, por reagimi i ngadaltë dhe presbiopia më pengojnë të ndjek përparimin e zhvillimit tekniko-shkencor”, thotë Li Ying, një 71-vjeçare që jeton në Rushan të Kinës Lindore.
Ajo nuk pranon ta lidhë kartën bankare me ndonjë aplikacion pagesash të lëvizshme, sepse frikësohet se mos humbet para prej ndonjë transaksioni të papërshtatshëm ose mashtrimit. “Të rinjtë dinë si të kontaktojnë me shërbimet pas shitjeve në internet për kthimin e parave. Por, për ne të moshuarit, kjo nuk është e lehtë. Kështu që nuk guxoj të përdor pagesën në internet”, shprehet ajo. Për këtë arsye, e moshuara gjithmonë shkon në treg dhe blen me para në dorë. Për gjërat e tjera, si blerja e biletave të trenit në internet etj., ajo i kërkon të birit ta ndihmojë.
Në dy dekadat e kaluara, popullsia kineze është plakur shpejt. Para fundit të vitit të kaluar, të moshuarit mbi 65 vjeç në Kinë zinin 12.6 % të popullsisë së përgjithshme, nga vetëm 6.96 % në vitin 2000. Sipas standardit të OKB-së, një shoqëri me 7 % të të moshuarve mbi 65-vjeçarë, përcaktohet si një shoqëri e plakur.
“Të moshuarit po përballen me një problem gjithnjë e më të dukshëm: ‘hendekun digjital’, me shtimin e vështirësive në jetën e përditshme për shkak të mospërdorimit të internetit ose smartfonave”, thuhet në “Planin e zbatimit për zgjidhjen efektive të vështirësive të të moshuarve në përdorimin e teknologjisë së zgjuar”, që u shpall në nëntor nga qeveria kineze.
Masat e përmendura në këtë plan përfshijnë përmirësimin e procedurave të kontrollit shëndetësor në vende publike si stacionet e trenave, duke lejuar që, pavarësisht kërkesave të luftës antiepidemike, të moshuarit që nuk kanë smartfona ose nuk dinë si të përdorin kodin e reagimit të shpejtë (QR), të hyjnë me kartën e identidetit ose dokumente të tjera. Sipas njoftimeve, në gushtin e sivjetshëm një drejtues autobusi në provincën Heilongjiang shkaktoi zemërim publik, pasi nuk pranoi një të moshuar që nuk kishte smartfon për skanimin e kodit.
Përveç kodit shëndetësor, në plan kërkohet që të ruhen shërbimet tradicionale për të moshuarit në shtatë fusha, duke përfshirë transportin, shërbimet mjekësore, veprimtaritë kulturore e sportive, konsumin dhe pagesën, duke ndaluar mospranimin e marrjes së parave në dorë.
Në të njëjtën kohë, plani parashikon që të trajnohen të moshuarit për përdorimin e teknologjive të reja, si dhe të krijohen variante me hieroglife të zmadhuara ose me audio të uebsajteve dhe të aplikacioneve të celularit, për të përmbushur kërkesat e këtij grupi të popullsisë.
Hapi në vijim i qeverisë është marrja e masave për të siguruar zbatimin si duhet të këtij plani, tha Lu Xiangdong, një zyrtar në Këshillin e Shtetit të Kinës, në një konferencë shtypi të organizuar në fund të nëntorit.
Lajmi i mirë është se, që para publikimit të dokumentit nga qeveria qendrore, shumë autoritete vendore dhe institucione të shërbimeve publike kishin filluar të vepronin për të ndihmuar banorët e moshës së tretë në mënyra të ndryshme. Në Shangai, aplikacioni për rezervimin e taksive “Shencheng Chuxing” vuri në përdorim në shtator një funksion, që u mundëson përdoruesve të bëjnë një porosi nëpërmjet vetëm një shtypjeje në aplikacion, në vend të shkruajnë vendndodhjen dhe destinacionin.
“Kjo ikonë në aplikacion dridhet pandërprerë dhe mund të dallohet shumë mirë prej përdoruesve të moshuar”, tha kryemenaxheri i aplikacionit Yuan Dongliang, sipas të cilit tani ky shërbim mbulon tani mbi 85% të taksive të qytetit.
Në Pekin dhe Shangai, shumë spitale kanë ruajtur metodën tradicionale të regjistrimit dhe të pagimit për qytetarët e moshuar. Për ata që nuk dinë të paguajnë me celular, janë krijuar sportele të posaçme. Megjithëse përdorimi i platformës në internet për rezervim është shumë i lehtë, spitalet kanë ruajtur shërbimin e rezervimit të vizitave mjekësore nëpërmjet telefonatave.
Në qytete të vogla si Wuxi në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, gjatë epidemisë së COVID-19, stacionet e trenave përcaktuan rrugë të posaçme kalimi për udhëtarët e moshuar që nuk kishin smartfona ose kod shëndetësor.
“Respekti ndaj të moshuarve ka qenë gjithmonë një traditë e kombit kinez. Kina ka bazë kulturore për të mbështetur gjithë shoqërinë të reagojë aktivisht ndaj problemit të plakjes së popullsisë”, tha Peng Xizhe, drejtor i Qendrës së Studimit të Politikave të Zhvillimit dhe të Popullsisë të Universitetit Fudan.(Zhang Yan/Artan)