Të mërkurën ushtria dhe policia e Egjiptit filluan të "pastrojnë me dhunë" të dy sheshe në Kajro që u zunë nga mbështetësit e ish-presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi. Sipas autoriteteve numri i të vdekurve është 278, ndërsa Vëllazëria Myslimane pretendon për mbi 2000 të vdekur.
Ministri i Brendshëm Mohamed Ibrahim theksoi se "protestuesve iu dha mundësi e plotë për zgjidhje diplomatike, por pa dobi."
Ndërkohë, kryeministri i përkohshëm egjiptian Hazem al-Beblawi i përgëzoi forcat e sigurisë për nivelin e lartë të "përmbajtjes" gjatë shpërndarjes së mbështetësve të Morsit. Ai tha se gjendja e jashtëzakonshme e shpallur të mërkurën do të zbatohet vetëm për një periudhë të shkurtër kohe dhe premtoi se qeveria do të mbrojë qytetarët dhe do të kthejë qetësinë në rrugë.
Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit tha të enjten se të paktën 278 veta humbën jetën dhe mbi 1400 të tjerë u plagosën në konfliktin e përgjakshëm në mbarë vendin. Kurse, nga burimet e Vëllazërisë Myslimane, vetëm për operacionin në dy sheshet e Kajros, thonë se janë shkaktuar më shumë se 2000 viktima.
Në situatën e krijuar, zëvendëspresidenti i Egjiptit, Mohamed El Baradei, dha dorëheqjen të mërkurën për refuzimit për shpërndarjen e protestuesve pro-Morsi me forcë, njoftoi shtetërore agjencia e lajmeve MENA.
Në dorëheqjen e tij me shkrim, El Baradei tha se ai nuk është më në gjendje të mbajnë përgjegjësi për gjakun e derdhur apo vendimet me të cilat ai nuk pajtohet. El Baradai u shpreh mjaft i shqetësuar në lidhje me situatën e krijuar.
Komuniteti ndërkombëtar e dënoi ashpër dhunën për heqjen me forcë të protestuesve nga sheshet nga qeveria kalimtare e Egjiptit.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon përmes një deklarate dënoi kategorikisht shtypjen me dhunë të protestave në Egjipt. Në deklaratën tij, Ban u shpreh se OKB-ja po grumbullon informacionet e sakta rreth incidentit dhe sipas të hetimeve fillestare janë konfirmuar mijëra të vdekur dhe të plagosur. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së shprehu njëkohësisht ngushëllimet për të afërmit e viktimave. Ban Ki-muni nxiti njëkohësisht popullin egjiptian të "fokusohet" tek pajtimi kombëtar.
Kurse, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest u shpreh në një deklaratë se ShBA-ja denoncon ashpër veprimet e dhunshme që u ndërmorën nga qeveria egjiptiane. Sipas deklaratës, ShBA-ja i ka bërë disa herë thirrje ushtrisë egjiptiane të vetëpërmbahet, duke respektuar të drejtën e shtetasve.
"ShBA-ja u ka bërë vazhdimisht thirrje protestuesve të veprojnë në mënyrë paqësore. Dhuna do ta çojë Egjiptin vetëm në një rrugë me shumë vështirësi dhe jo drejt stabilitetit të vazhdueshëm dhe demokracisë, në kundërshtim me dëshirën e qeverisë kalimtare që synon pajtim paqësor kombëtar", tha Earnest.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dënoi të mërkurën dhunën dhe gjakderdhjen në Egjipt, duke e quajtur atë një "goditje serioze" ndaj përpjekjeve për pajtim kombëtar në vend.
Në një konferencë të përditshme shtypi, kreu i diplomacisë amerikane theksoi se ngjarjet e së mërkurës shkojnë përkundër aspiratave të egjiptianëve për paqe, gjithëpërfshirje dhe demokraci të mirëfilltë.
Komisionerja e Lartë e BE-së për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme Cathrine Ashton, duke dënuar incidentet e dhunshme , tha se ato po krijojnë shumë paqartësi për të ardhmen e Egjiptit.
"Nëse palët do të nisin procesin politik, duke përcaktuar një kornizë demokratike nëpërmjet zgjedhjeve dhe duke punuar për pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike në këto zgjedhje, Egjipti do të ketë një të ardhme krejt të ndryshme," tha Ashton.
Në të tjera reagime, Turqia shprehu kundërshtim dhe denoncoi shtypjen me dhunë të protestuesve nga forca ushtarake egjiptiane. Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ankaraja shprehu dëshirën që qeveria aktuale të lirojë ish-presidentin Mohamed Morsi, duke i hapur rrugë një procesi politik gjithëpërfshirës. "Turqia do ta përkrahë popullin egjiptian për të dalë nga kaosi," theksoi Ministria e Punëve të Jashtme.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Francës Laurent Fabius dënoi fort të mërkurën trazirat e ndodhura në Egjipt, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të shtypjes me dhunë të protestueseve.
"Përdorimi i dhunës nuk mund ta zgjidhë problemin aktual në Egjipt", tha Fabius. Franca u bëri thirrje palëve të refuzojnë veprimet e dhunshme, dhe të nisin dialogun me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike për t'i dhënë fund krizës serioze."
Kurse Ministria ruse e Punëve të Jashtme publikoi një deklaratë të mërkurën, ku u kërkon të gjitha forcave politike egjiptiane të tregohen të vetëpërmbajtur për të parandaluar luftën civile.
"Në këtë kohë të vështirë, ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike në Egjipt të tregohen gjakftohta dhe të vetëpërmbajtur dhe të nisen nga interesat kombëtare për të parandaluar shkallëzimin e dhunës dhe shtimin e viktimave në të ardhmen," thotë diplomacia ruse. (Leftion Peristeri)
LINK:
Kerri dënon dhunën në Egjipt
Egjipt, 235 të vrarë nga përleshjet mes policisë e mbështetësve të Morsit
Egjipt, dorëhiqet Mohamed El Baradei
Përleshen mbështetësit e kundërshtarët e Morsit
Egjipt, shtyhet operacioni i shpërndarjes së demonstruesve
Ashton: BE-ja, ndihmë për rikthimin e paqes në Egjipt