Kalaja e Petrelës në juglindje të Tiranës është një kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I-rë, në shekullin e VI pas Krishtit.
Ajo ishte një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës të Perandorisë Bizantine.
Kalaja e Petrelës është e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur.
Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Kalaja e Petrelës kontrollonte degen e rrugës Egnatia, dega Durrës-Tiranë-Elbasan, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë.
Kjo kala kishte një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, pasi nga Petrela mund të shihej Kruja si dhe sistemi i fortifikimeve mbrojtëse përreth Durrësit, pjesë e të cilës ishte dhe vet Petrela. Zona ishte mjaft e përshtatshëm edhe për zhvillimin e ekonomisë bujqësore.
Petrela ka një sistem të dyfishtë fortifikues. Ai përbëhet nga vet kështjella dhe nga një mur rrethues që ndodhet jashtë saj.