8 km larg qytetit të Shkodrës, mbi ujërat e kristalta të lumit Kir, ndodhet Ura e Mesit një monument kulture me vlera të mëdha.

Ky objekt simbol i qytetërimit të lashtë është ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qënë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë tërheq vazhdimisht vizitorë të shumtë . Ajo ëhtë 108 metër e gjatë, me gjërësi 3,4 metër dhe me 13 harqe jo simetrike. Për ndërtimin e kësaj ure janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri.
Edhe Ura e Mesit ka legjendën e sajë, sipas të cilës, një tregtar turk në ndihmë të disa banorëve të zonës hapi disa gropa për të shuar gëlqeren. Për gati 20 vite fshatarët e pritën tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët, e filloi ndërtimin e urës. Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vite në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gur dhe gëlqere të shuar, pa çimento e hekur.
Një dekadë më parë, pikerisht në vitin 2010 u mundësua rinkonstruksioni i urës dhe përshtatja për këmbësorët.