Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë në një videosamit me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel të premten në Pekin.

Të tre liderët patën një shkëmbim të thellë pikëpamjesh mbi bashkëpunimin për çështje të ndryshme, si ndryshimi i klimës, marrëdhëniet Kinë-Evropë, bashkëpunimi kundër epidemisë dhe probleme të tjera ndërkombëtare e rajonale.

Xi theksoi se ai ka nxitur gjithmonë ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe se Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Francën e Gjermaninë për përballimin e ndryshimit të klimës.

Premtimi i Kinës për të arritur kulmin e lëshimit të karbonit brenda vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri në 2060-n do të thotë se vendi më i madh në zhvillim në botë do të arrijë uljen më të madhe të intensitetit të karbonit në botë dhe kalimin nga kulmi i lëshimit në asnjanësimin e karbonit në kohën më të shkurtër në histori, çka pa dyshim do të jetë një betejë e vështirë, vuri në dukje presidenti Xi.

Kina do ta mbajë fjalën dhe do t’i zbatojë premtimet, dhe i ka përfshirë arritjen e kulmit dhe të asnjanësimit të karbonit në planin e vet të përgjithshëm për përparimin ekologjik, duke promovuar zhvillimin e një ekonomie të gjelbër, me karbon të ulët dhe qarkulluese, tha presidenti kinez.

Trajtimi i ndryshimit të klimës është kauza e përbashkët e mbarë njerëzimit dhe nuk duhet të përdoret si një mjet negociimi gjeopolitik, një objektiv për të sulmuar vendet e tjera ose një justifikim për pengesat tregtare, tha Xi.

Ai theksoi se Kina do t'u përmbahet parimeve të barazisë, përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme sipas aftësive përkatëse, do të promovojë zbatimin e Konventës Kuadër për Ndryshimin e Klimës të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC) e të Marrëveshjes së Parisit dhe do të zhvillojë në mënyrë aktive bashkëpunimin Jug-Jug për ndryshimin e klimës.

Presidenti kinez gjithashtu bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta për të lehtësuar rimëkëmbjen ekonomike globale dhe për të luftuar pandeminë e COVID-19.

Presidenti Emmanuel Macron theksoi në fjalën e tij në samit se Franca mirëpret njoftimin e Kinës për të arritur asnjanësimin e karbonit deri më 2060, gjë për të cilën ai tha se është një angazhim i madh që pasqyron vullnetin e Kinës për të marrë përsipër përgjegjësi të rëndësishme.

Pala franceze është e gatshme të punojë me Kinën për të nxitur më tej marrëdhëniet ekonomike dypalëshe e BE-Kinë, për ta ndihmuar Afrikën të arrijë zhvillimin e gjelbër dhe për të bërë përpjekje për t’i ndihmuar vendet në zhvillim të ulin borxhet, tha ai.

Vaksinat nuk duhet të bëhen një mjet i konkurrencës midis fuqive të mëdha, shtoi kreu i shtetit francez. Sipas tij, Franca është e gatshme të forcojë me Kinën bashkëpunimin në shpërndarjen e drejtë të vaksinave dhe bashkërendimin mbi problemin bërthamor iranian e çështje të tjera rajonale.

Nga ana e saj, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se është e rëndësishme për Gjermaninë, Francën dhe Kinën të forcojnë bashkëpunimin lidhur me ndryshimin e klimës.

Njoftimi i Kinës për kontributet e përcaktuara në shkallë kombëtare është ambicioz e shumë i rëndësishëm për reagimin global ndaj ndryshimeve klimatike dhe BE-ja është e gatshme të forcojë komunikimin dhe përshtatjen e politikave me Kinën, shtoi ajo.

Gjermania u kushton rëndësi mundësive të sjella nga zbatimi i Planit të 14-të Pesëvjeçar të Kinës për bashkëpunimin Gjermani-Kinë e BE-Kinë dhe është e gatshme të thellojë bashkëpunimin ekonomik e tregtar me përfitime të ndërsjella me Kinën, të forcojë komunikimin me Kinën në ekonominë digjitale, sigurinë kibernetike e çështje të tjera, si edhe për t’i trajtuar kompanitë e të gjitha vendeve si të barabarta dhe për të shmangur pengesat tregtare, tha ajo.

Udhëheqësit e të tre vendeve ranë dakord t'i përmbahen multilateralizmit, të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Parisit, të ndërtojnë së bashku një sistem të qeverisjes globale të klimës të drejtë, të arsyeshëm e me përfitime të ndërsjella dhe të përpiqen për rezultate pozitive, të ekuilibruara dhe pragmatike të Samitit virtualë të Liderëve për Klimën, i cili është propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është planifikuar të zhvillohet më 22 e 23 prill.(Artan)