Kina dhe Evropa janë partnere, jo rivale, dhe zhvillimi i Kinës është një mundësi e mirë e jo kërcënim për Evropën, tha të enjten këshillitari i Shtetit dhe ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi.

Gjatë një bisede telefonike me ministren e Jashtme spanjolle Arancha Gonzalez Laya, Wang theksoi se Kina e Bashkimi Evropian, si partnerë të gjithanshëm strategjikë, duhet të punojnë bashkërisht për të ruajtur bazën politike të bashkëpunimit dypalësh dhe për të arritur përparim më të madh në marrëdhëniet e tyre pas fillimit të pandemisë.

Problemet e lidhura me Xinjiang-un e Hong-Kongun janë punë të brendshme të Kinës, tha kreu i diplomacisë kineze, duke shtuar se Kina i bën thirrje kategorikisht palës evropiane të veprojë në mënyrë të matur dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës në çfarëdo forme, sepse një veprim i tillë do të dëmtojë besimin e ndërsjellë dypalësh dhe nuk është në interesin e përgjithshëm të BE-së e të vendeve anëtare të saj.

Wang shprehu shpresën se Spanja do t'u ofrojë kompanive kineze një trajtim të barabartë e një mjedis të hapur biznesi dhe u bëri thirrje të dyja palëve të kundështojnë unilateralizmin e proteksionizmin, duke çuar përpara reformën e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Kina do të punojë me të gjitha palët për t'i bërë Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 një veprimtari të thjeshtë, të sigurt dhe të mrekullueshme, shtoi Wang.

Ministrja e Jashtme spanjolle Arancha Gonzalez Laya u shpreh nga ana e saj se Spanja nuk e miraton "diplomacinë e megafonit" dhe është e gatshme të zhvillojë shkëmbime konstruktive me Kinën në bazë të respektit të ndërsjellë, të forcojë dialogun midis BE-së e Kinës dhe të promovojë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve BE-Kinë. (Wang Lei/ Artan)