Prodhimi i brendshëm bruto i Kinës u rrit me vlerën rekord prej 18.3 % gjatë tremujorit të parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme, duke u rimëkëmbur nga një tkurrje historike para një viti, sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave të premten.

Kina shënoi një rënie ekonomike prej 6.8 % në tremujorin e parë të vitit 2020, kur u detyrua që të ndalonte veprimtarinë ekonomike për të frenuar përhapjen e COVID-19, duke krijuar bazën për rimëkëmbjen e ndjeshme të këtij viti. Rritja prej 30 % e eksporteve në mars krahasuar me të njëjtin muaj të vjetshëm, është shembulli më i fundit i këtij efekti.

Rimëkëmbja e Kinës ka ardhur para së gjithash nga rritja e madhe e eksporteve, duke përfituar nga gjallërimi i ekonomisë globale dhe shtimi i vaksinimeve, si edhe një përmirësim i qëndrueshëm i konsumit të brendshëm.

Shitjet me pakicë në mars u shtuan me 34.2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, më e madhe se rritja në dy muajt e parë të sivjetshëm prej 33.8 %. (Xu Guang)