Treguesi i Çmimeve të Konsumit të Kinës (CPI), një matës kryesor i inflacionit, u rrit me 0.2 për qind në dhjetor në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë për shkak të rritjes së çmimit të ushqimit dhe të kërkesës nga festat, njoftoi të hënën Drejtoria Shtetërore e Statistikave.

Shifra përmbysi rënien -0.5 për qind në nëntor, që ishte rënia e parë që nga viti 2009.

Një sondazh i “Reuters”-it parashikoi që treguesi të rritet me 0.1 për qind dhe 14 institucione kineze të mbledhura nga baza e të dhënave “Wind Information” gjithashtu treguan një parashikim mesatar prej 0.1 përqind për CPI-në e dhjetorit.

Kostot e prodhimit, magazinimit dhe transportit të perimeve dhe frutave janë rritur për shkak të motit të ftohtë. Festa e Vitit të Ri dhe Festa e Pranverës nxisin kërkesën e konsumatorit, tha Dong Lijuan, nga Drejtoria e Statistikave e Kinës.

Çmimet e perimeve dhe të ushqimeve u rritën me 6.5 për qind në dhjetor në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe çmimi i mishit të viçit dhe të deles u rrit me 4.6 për qind. Çmimi i produkteve ujore u rrit me 1.7 për qind, ndërsa çmimi i mishit të bagëtive u rrit me 0.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga kategoritë jo-ushqime, inflacioni i çmimeve të transportit dhe komunikimit ra me 3.1 për qind në dhjetor. Çmimet e kujdesit shëndetësor u rritën me 1.3 për qind, ndërsa çmimet e arsimit, kulturës dhe argëtimit u rritën me 0.9 për qind në dhjetor në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, treguan të dhënat.

Për të gjithë vitin, CPI-ja u rrit me 2.5 për qind në vitin 2020. (Albana)