Në paraditen e 10 shtatorit, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe presidenti amerikan Joseph Biden zhvilluan një bisedë telefonike, ku shkëmbyen mendime të sinqerta, të thella, të gjera dhe strategjike mbi marrëdhëniet kino-amerikane dhe problemet me interes për të dy palët.

Kjo është biseda telefonike e parë në 7 muaj mes dy udhëheqësve. Xi tha se kthimi i marrëdhënieve kino-amerikane në rrugën e duhur nuk është një zgjedhje, por diçka që duhet bërë dhe duhet bërë mirë.

Grupi Mediatik i Kinës (CMG) vlerëson se tani, marrëdhëniet kino-amerikane janë zhytur në një gjendje të vështirë, për arsye të keqgjykimit strategjik të palës amerikane për Kinën dhe të konsiderimit të Kinës si "armik imagjinar", duke sfiduar në mënyrë të pandërprerë vijën e kuqe të Kinës. Përmirësimi i marrëdhënieve kino-amerikane varet nga korrigjimi i politikave të gabuara ndaj Kinës, ndalimi i konsiderimit të Kinës si kërcënim e kundërshtare dhe ndalimi i veprimeve që dëmtojnë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës.

Mediat e huaja i kushtuan vëmendje të madhe faktit se presidenti amerikan Joseph Biden lëshoi me iniciativë sinjalet e dialogut dhe bashkëpunimit. Ai shprehu mendimin se marrëdhëniet kino-amerikane janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë dhe theksoi se të dy vendet nuk kanë arsye që të zhyten në konflikt për shkak të konkurrencës.

CMG-ja komenton se, në sfondin e vështirësive të tanishme, pala kineze ka mbajtur një qëndrim të përgjegjshëm e konstruktiv, duke vazhduar shkëmbimet dhe komunikimin e nevojshëm me palën amerikane në fushat e ndryshme ekonomiko-tregtare, diplomatike etj. Për shembull, sivjet i dërguari i presidentit amerikan për problemin e klimës, John Kerry, ka bërë dy vizita në Kinë. Pala kineze zhvilloi dialog dhe shkëmbime të plota me të.

Në bisedën e tyre telefonike, krerët e Kinës dhe ShBA-së shprehën vullnetin e bashkëpunimit, i cili është lajmi për të cilin shpresonte bota.

Pala amerikane s'mund të bëjë veprime për të frenuar e goditur Kinën, dhe në të njëjtën kohë t'i kërkojë Kinës bashkëpunim pa kushte. Nëse pala amerikane ka vullnet për nxitjen e bashkëpunimit me Kinën, ajo duhet të ndërmarrë veprime praktike me guxim strategjik, e mbyll komentin CMG-ja. (Xu Guang)