Foto: VCG

Foto: VCG

Italia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të hënën në rajonin e lumit Po në veri të vendit, i cili po vuan thatësirën më të keqe në 70 vitet e fundit, por përbën afërsisht një të tretën e prodhimit bujqësor të vendit.

Gjendja e jashtëzakonshme, e cila do të qëndrojë në fuqi të paktën deri në fund të vitit, do t'i japë qeverisë fonde dhe fuqi shtesë për t'u përballur me kushtet e nxehtësisë dhe thatësisë, bën të ditur “CGTN”.

Dekreti i qeverisë do t'i lejojë autoritetet të shkurtojnë burokracinë dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme nëse është e nevojshme, siç është racionimi i ujit për shtëpitë dhe bizneset.

Lumi Po është më i gjati i Italisë, por shumë zona janë tharë dhe fermerët thonë se rrjedha është aq e dobët sa uji i detit po depërton në brendësi të vendit dhe po shkatërron të korrat.

Qeveria tha në një deklaratë se masat emergjente do të mbulonin tokat që kufizoheshin me lumin Po dhe pellgjet ujore të Alpeve lindore.

Qeveria shtoi se masa të mëtejshme mund të merren në të ardhmen për t'u marrë me thatësirën, për të cilën autoritetet e ujit thonë se po ndikon gjithnjë e më shumë në Italinë qendrore pas një dimri dhe pranvere jashtëzakonisht të thatë, të ndjekur nga një fillim vere jashtëzakonisht e nxehtë.

Mediat italiane kanë raportuar se kryeministri Mario Draghi po konsideronte gjithashtu emërimin e një komisioneri për të koordinuar përgjigjen ndaj thatësirës, në një mënyrë të ngjashme me të cilën qeveria krijoi një komisioner për të mbikëqyrur krizën e koronavirusit. (Elona)