Foto: VCG

Foto: VCG

Që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 60 milionë raste të të infektuarve me Covid-19 janë regjistruar në Evropë. Shifra përbën rreth 30 për qind të të gjitha rasteve të regjistruara në botë, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Zyra rajonale evropiane e OBSH-së bëri thirrje për më shumë angazhim në fushatën e vaksinimit anti-Covid, duke theksuar pabarazinë e gjerë në furnizimin me vaksina midis disa vendeve, citon “Radio Evropa e Lirë”.

Megjithatë, normat e vaksinimit në Evropë janë ndër më të lartat në botë. Drejtori rajonal për emergjencë i OBSH -së, Dorit Nitzan, tha se shumë njerëz që bëjnë pjesë në grupet prioritare të vaksinimit përfshirë të moshuarit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor ende nuk janë vaksinuar.

Në rajonin evropian janë regjistruar më shumë se 1.2 milionë vdekje të lidhura me koronavirusin. Në nivel global, sipas të dhënave të OBSH -së, deri tani, numri i viktimave është rreth 4.2 milionë. (Elona)