[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Shpërndarja e vaksinave kundër koronavirusit dhe ndihmat masive qeveritare do të përshpejtojnë rritjen e ekonomisë globale në një nivel rekord këtë vit, një ripërtëritje e fuqishme nga recesioni i shkaktuar nga pandemia, parashikon Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Agjencia huadhënëse, në të cilën marrin pjesë 190 vende të botës, njoftoi të martën se pret që ekonomia botërore të rritet 6% gjatë vitit 2021, nga 5.5% që ishte parashikuar në janar, bën të ditur “Ansa”. Kjo do të ishte rritja më e madhe e ekonomisë globale e shënuar nga FMN-ja që nga viti 1980. FMN-ja parashikon që gjatë vitit 2022, rritja ekonomike ndërkombëtare do të jetë më e vogël 4.4%, por gjithsesi më e lartë nga parashikimi me 4.2% që u bë në muajin janar.

Sipas vlerësimeve të fundit të ekonomistëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia globale u tkurr 3.3% gjatë vitit 2020, pas recesionit shkatërrues që erdhi si rezultat i shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në fillim të vitit të kaluar.

Parashikuesit thonë se pa ndihmën prej 16 trilionë dollarë të qeverive në shkallë botërore, që ndihmuan kompanitë dhe konsumatorët gjatë mbylljeve si rezultat i pandemisë, rënia ekonomike e vitit të kaluar mund të kishte qenë tre herë më e rëndë. (Elona)