Ekuadori do të marrë 2 milionë doza të vaksinës “CoronaVac” të prodhuar nga kompania farmaceutike kineze “Sinovac” për fushatën kombëtare të vaksinimit masive kundër Covid-19. Lajmi u njoftua nga ministri i Shëndetësisë, Juan Carlos Zevallos, gjatë një konference për shtyp, citon “Xinhua”.

“Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme sepse do të na lejojë të arrijmë shpejt përqindjet e programuara dhe do të na ndihmojë për të mbuluar një përqindje më të lartë të popullsisë”, -tha Zevallos.

Nga 2 milionë doza të planifikuara, 1 milion do të mbërrijnë në mars dhe pjesa tjetër në prill.

Ekuadori ka siguruar 20 milionë doza vaksinash nga prodhuesit farmaceutikë. Përveç 2 milionë dozave të “CoronaVac”, vendi pritet të marrë 6 milionë doza “Pfizer-BioNTech”, 5 milionë “AstraZeneca-Oxford” dhe 7 milionë doza nga nisma COVAX e sponsorizuar nga OBSH. (Irma)