Sipas një raporti mbi jetëgjatësinë mesatare të amerikanëve, të publikuar ditët e fundit nga Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Sëmundjeve e ShBA-së (CDC), në gjysmën e parë të vitit 2020 jetëgjatësia mesatare e amerikanëve u ul me një vit, duke arritur në 77.8 vjeç, nga 78.8 vjeç në vitin 2019.

Në këtë raport thuhet se vdekja e shumë amerikanëve nga epidemia e COVID-19 është shkaku kryesor i uljes së jetëgjatësisë.

Popullsia e ShBA-së zë vetëm 4 për qind të asaj botërore, por numri i të vdekurve nga virusi i COVID-19 zë 20 për qind të numrit të përgjithshëm në mbarë botën.

Deri më 22 shkurt, nga të dhënat e publikuara nga Universiteti Johns Hopkins, numri i të vdekurve nga virusi i COVID-19 në ShBA arriti në 500 mijë e 201 veta, duke e kaluar numrin e përgjithshëm të ushtarakëve amerikanë të vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në fillim të shpërthimit të epidemisë, ish-presidenti Donald Trump pretendoi se kjo epidemi është vetëm një "grip i madh" dhe ai shërbeu si një shembull shumë negativ lidhur me mbajtjen e maskës së fytyrës. Përballë gjendjes së përkeqësuar, Trump-i nuk u përpoq të merrte masa për frenimin e epidemisë, por u orvat të kërkonte "dashin e kurbanit", ta politizonte epideminë dhe të shfajësohej pandërprerë. Administrata e Trump-it u tërhoq nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjë që pengoi bashkëpunimin global për përballimin e epidemisë. Në kohën më të keqe të gjendjes epidemike, qeveria amerikane, që synonte vetëm rimëkëmbjen ekonomike, liroi masat e parandalimit e të kontrollit dhe kjo shkaktoi acarimin e mëtejshëm të epidemisë. Në një koment të gazetës amerikane "The Washington Post" thuhet se në ShBA gjendja epidemike është shndërruar në një "masakër" të ligjshme.

Asnjë e drejtë e njeriut nuk është më e rëndësishme se e drejta e jetës. Vendet perëndimore, me ShBA-në në krye, e kanë cilësuar veten si "mbrojtëse të të drejtave të njeriut". Por gjatë epidemisë së COVID-19, shikojmë pamjen e shëmtuar të "mbrojtësve të të drejtave të njeriut".

Në raportin e CDC-së zbulohet edhe pabarazia raciale në ShBA. Sipas të dhënave të këtij raporti, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, jetëgjatësia mesatare e amerikanëve të bardhë u ul me 0.8 vjet, e hispanikëve 1.9 vjet, ndërsa e afroamerikanëve 2.7 vjet. (Wang Lei)