Gjatë takimit të enjten në Bandar Seri Begavan mes ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi e sulltanit të Bruneit Haji Hassanal Bolkiah, dy palët ranë dakord për ndërlidhjen e Objektivave Afatgjatë të Kinës deri në Vitin 2035 me vizionin kombëtar të Bruneit, të njohur si "Wawasan 2035".

Wang Yi u shpreh se Kina dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me Brunein në luftën kundër pandemisë, duke përfshirë vaksinat, dhe të krijojë një "linjë të shpejtë" për të lehtësuar shkëmbimet midis dy popujve, duke kërkuar gjithashtu mundësitë për krijimin e një "kanali të gjelbër" për tregtinë.

Wang tha se të dy vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin për Korridorin Ekonomik Guangxi-Brunei dhe në sektorët e bujqësisë e të peshkimit, duke kërkuar pikat e reja të rritjes, si teknologjia 5G, të dhënat e mëdha, informatika cloud etj., për të dhënë kontribut të ri për diversifikimin e ekonomisë së Bruneit.

Kryediplomati shtoi se dy palët mund të gjejnë mënyrat efektive për zhvillimin e bashkëpunimit detar pa ndikuar qëndrimet e tyre përkatëse.

Nga ana e tij, sulltani Hassanal u shpreh se Kina është një vend fqinj tradicionalisht mik dhe partner i rëndësishëm bashkëpunimi i Bruneit. Ai shprehu shpresën për forcimin e marrëdhënieve të partneritetit me bashkëpunim strategjik midis dy vendeve nëpërmjet projekteve të bashkëpunimit dypalësh si Korridori Ekonomik Guangxi-Brunei etj.

Hassanal vlerësoi po ashtu përkrahjen e Kinës në luftën e Bruneit kundër pandemisë dhe tha se vendi i tij shpreson të bashkëpunojë me Kinën në fushën e vaksinës së COVID-19, si edhe për të forcuar shkëmbimet midis dy popujve dhe bashkëpunimin dypalësh në fusha të tjera. (Fani/Artan)