Kina do të forcojë bashkëpunimin mjekësor e shëndetësor me Indonezinë dhe do të promovojë mundësinë e marrjes dhe përballueshmërisë së vaksinave nga vendet në zhvillim dhe ato myslimane.

Këshilltari i Shtetit i Kinës dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi i i tha këto të martën gjatë takimit me Koordinatorin për Bashkëpunimin me Kinën të qeverisë indoneziane Luhut Binsar Pandjaitan.

Wang shprehu shpresën se të dyja palët do të nënshkruajnë sa më parë dokumente bashkëpunimi mbi nismën "Një brez, një rrugë" e Boshtin Global Detar dhe bëri thirrje për përpjekje për të promovuar projekte të mëdha, të tilla si hekurudha me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung dhe Korridori Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal.

Për t'i dhënë impuls zhvillimit ekonomik të të dy vendeve, Wang theksoi bashkëpunimin në fushat e turizmit, bujqësisë, arsimit e trajtimit profesional dhe të ekonomisë dixhitale.

Kina dëshiron të importojë më shumë produkte nga Indonezia dhe të zgjerojnë shkallën e shkëmbimit të monedhave dypalëshe, shtoi Wang.

Në fushën e bashkëpunimit detar, ai theksoi përpjekjet e përbashkëta në sigurinë e lundrimit, studimet shkencore mbi çështjet e detarisë, kërkimin e shpëtimin detar, parandalimin e zbutjen e katastrofave dhe mbrojtjen e mjedisit.

Nga ana e tij, Pandjaitan tha se Indonezia është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën në këto fusha. Ai e mirëpriti zgjerimin e investimeve kineze dhe ardhjen e kompanive kineze të automjeteve elektrike në vendin e tij.

Pandjaitan gjithashtu shprehu shpresën se të dyja palët do të krijojnë sa më shpejt grupin e punës mbi tregtinë dypalëshe dhe do të zhvillojnë mbledhjen e Komitetit të Bashkëpunimit Detar. Ai vuri në dukje se Indonezia dëshiron të promovojë eksportin e produkteve bujqësore e të peshkimit në Kinë dhe të thellojë bashkëpunimin me Kinën në sektorin financiar.

Para bisedimeve, Wang dhe Pandjaitan ishin të pranishëm në nënshkrimin e dy memorandumeve të mirëkuptimit ndërmjet të dy palëve mbi zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike e bashkëpunimin teknik, si edhe bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe tregtar.

Sipas njoftimeve të tjera, presidenti indonezian Joko Widodo bëri të mërkurën vaksinën e COVID-19 të prodhuar nga kompania biofarmaceutike kineze "Sinovac". (Çang Çuo)