Organizata Botërore e Shëndetësisë kritikon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për menaxhimin e emergjencës shëndetësore. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se është e rrezikshme të hiqet dorë nga kontrolli i pandemisë Covid-19, bën të ditur “A2”.

Kjo ishte një kundërpërgjigje ndaj deklaratës së shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, i cili pohoi se SHBA-ja nuk po kërkon më të kontrollojë pandeminë. Kreu i OBSH-së theksoi se nuk duhet të dorëzohemi përballë emergjencës dhe se duhen përpjekje për të mbrojtur grupet më të rrezikuara.

OBSH-ja ka pasur kritika edhe për shtetet evropiane duke kërkuar masa serioze në luftën ndaj koronavirusit. “Tani për tani, jemi shumë prapa këtij virusi në Evropë. Duhen disa përshpejtime serioze në atë që bëjmë dhe ndoshta një natyrë gjithëpërfshirëse e masave që do të nevojiten për t’i paraprirë këtij virusi”, -u shpreh Mike Ryan, shef i programit të emergjencave në OBSH.