Ulja e emetimeve të dyoksidit të karbonit për mbajtjen nën 2 gradë të ngrohjes globale do të jetë e pamundur pa termocentralet bërthamore, tha të martën kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, bën të ditur “ATSH”.

“Heqja dorë nga energjia bërthamore, si në rastin e Gjermanisë, është një vendim politik. Zgjedhja politike është e ligjshme dhe vendet mund të zgjedhin njërën ose tjetrën politikë”, -u shpreh ai.

“Por është fakt shkencor se energjia bërthamore është një emetues jashtëzakonisht i ulët i dyoksidit të karbonit”, -shtoi diplomati argjentinas.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike i përcakton burimet e energjisë së pastër si ato që lëshojnë pak ose aspak gaze serrë dhe që përfshijnë energjinë bërthamore, hidroenergjinë, erën dhe diellin.