Numri i rasteve të konfirmuara të COVID-19 po rritet në shumicën e vendeve evropiane, gjë që ka çuar në masa të reja parandalimi dhe kontrolli.

Prej së premtes, në Spanjë janë raportuar mbi 52 mijë raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarëve që nga fillimi i pandemisë në vend në rreth 1.1 milion.

Bordi i lartë këshillues shkencor i Francës tha se numri i rasteve të reja ditore me COVID-19 mund të arrijë deri në 100 mijë, dyfishi i vlerësimit zyrtar.

Jean-François Delfraissy është president i Këshillit Shkencor.

Ai tha se Franca ndodhet në një situatë të vështirë dhe virusi po përhapet shumë më shpejt nga sa pritej.

"Ndodhemi në një gjendje shumë të vështirë, madje kritike. Ndoshta ka më shumë se 50 mijë raste të reja çdo ditë. Vlerësimi ynë në Këshillin Shkencor është afro 100 mijë në ditë - dy herë më shumë në mesin e atyre që nuk janë testuar dhe pacientëve asimptomatikë, ne "jeni afër këtij numri të rasteve. Kjo do të thotë që virusi po përhapet jashtëzakonisht shpejt".

Numri i rasteve të konfirmuara po rritet gjithashtu në Itali, Britani, Belgjikë dhe Kroaci, duke i detyruar qeveritë të vendosin përsëri kufizime të virusit.

Klubet e natës në disa zona të Britanisë mund të pranojnë vetëm prenotime prej gjashtë personash dhe maskat duhet të mbahen gjatë gjithë kohës brenda klubit.

Grumbullimet e brendshme dhe të jashtme, përfshirë ato për arsye fetare, ndalohen në Itali.

Në Gjermani, nga rrethet kërkohet që të marrin masa nëse ka 50 vetë të infektuar rishtas për 100 mijë banorë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se pandemia COVID-19 është "kriza më e madhe e epokës sonë".

"Vetëm shtatë muaj pas shpalljes, mbi një milion njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra miliona janë infektuar. Rastet janë akoma në rritje, dhe valë të reja kanë nisur në vendet që e kanë kontrolluar virusin për shumë muaj. Ndikimi jo i drejtpërdrejtë i pandemisë po bën kërdinë në shoqëri dhe ekonomi ".

Deri tani në mbarë botën numërohen mbi 42 milionë të prekur me koronavirusin e tipit të ri, ndërkohë që kanë humbur jetën mbi një milion njerëz.(Albana)