Belgjika, Danimarka, Italia dhe Sllovenia ishin mes vendeve evropiane që vendosën të hënën kufizime të reja, në një përpjekje për të përmbajtur valën e dytë të Covid-19 për mos të rënduar shërbimet e mbingarkuara të shëndetit publik.

Qeveria belge urdhëroi të gjitha baret, kafenetë dhe restorantet të mbyllen dhe vendosi një shtetrrethim nate. Puna në distancë është e detyrueshme, kur është e mundur, shkruan “ATSH”.

Në Itali, ku shifrat ditore të infektimeve u rritën në mbi 20.000 raste, për herë të parë të dielën, kryeministri Giuseppe Conte urdhëroi mbylljen e bareve dhe restoranteve prej orës 18:00.

Kufizimet përfshijnë, gjithashtu, mbylljen e palestrave, pishinave, kinemave, teatrove dhe sallave të koncerteve, një ndalim total për tifozët në stadiumet e futbollit dhe mësim në internet për të paktën 75% të studentëve të shkollës së mesme.

Sllovenia po zgjeron përpjekjen për të frenuar virusin me një ndalim të udhëtimit midis bashkive. Masa do të jetë në fuqi për të paktën shtatë ditë, në të gjithë vendin.

Prej së hënës, Danimarka ndaloi shitjen e alkoolit gjatë natës, si edhe është vënë kufi për numrin e pjesëmarrësve në tubime.