Deri të martën, numri i rasteve të infektimit nga COVID-19 në ShBA i kaloi 4.3 milionët. Gazeta amerikane “Washington Post” botoi të martën një artikull, sipas të cilit maska është masa më e efektshme e shëndetit publik kundër epidemisë, por që nga fillimi ShBA-ja ka mbajtur një qëndrim të paqartë për çështjen e maskave.

Specialistja e sëmundjeve infektive nga Universiteti i Kalifornisë në San-Francisco Monica Gandhi tha se në disa vende, me të shpërthyer epidemia, njerëzit vendosën menjëherë maska, prandaj shkalla e vdekshmërisë në këto vende është shumë e ulët. Ajo është e mendimit se, ndër gabimet e ShBA-së përballë epidemisë, “gabimi më i madh” është mosnjoftimi i publikut për të mbajtur maska.

Sipas “Washington Post”-it, gjendja e tanishme është shkaktuar bashkërisht nga politikat kaotike të qeverisë, mospranimi prej amerikanëve i kulturës së maskave dhe gjendja e polarizuar politike. Përveç kësaj, një arsye tjetër është që presidenti amerikan Donald Trump nuk ka pranuar të mbajë maskë dhe i përçmon ata që vënë maskë.