Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha të martën se nga 450 vizita në ditë që kryhen nga mjekët e urgjencës, 120 janë vetëm për Covid.

Në një prononcim për mediet, Brataj tha se nga këto 120 vizita, mbi 50% e tyre trajtohen në banesë.

Brataj u shpreh se ka përditësim të të gjitha medikamenteve që janë përdorur në këtë periudhë, të cilat kanë dhënë ose jo rezultat dhe mjekët i përshtaten literaturës botërore që ka dalë për mjekimin e Covid-19.

Por, Brataj shton se nuk ka ende një medikament të mirëfilltë për të kuruar Covid-19.

Ai bëri apel për respektimin e masave anti-Covid dhe vaksinimin e popullsisë. Numri i rasteve ditore me Covid-19 në Shqipëri prej disa ditësh është i qëndrueshëm, thuajse në të njëjtat nivele, por po shtohen rastet e rënda që kërkojnë trajtim spitalor. (Elona)