Brenda muajit nëntor nis puna për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, që do të jetë edhe më i madhi në Shqipëri, shkruan “ATSH”.

Aeroporti është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet nga çdo vend i botës, që deri më sot nuk janë ofruar nga Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza", për shkak të pistës jo të përshtatshme.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se aeroporti i Vlorës pritet të ndërtohet brenda 36 muajve.

Sipas të dhënave të projektit fillestar, aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16.000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjereve. Parkingu i avionëve do të jetë 46.690 m2 nga të cilat 32.000 m2 do të jenë për pozicionet e avionëve (12 vendqëndrime). 2000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrëfikës.

Pista do të jetë e gjatë 3200 metra, ndërsa kategoria e aeroportit do të jetë 4E, që do të thotë se plotëson kushtet për avionë të mëdhenj. Rrugët lidhëse do të jenë në total 7263 metra të kategorisë që mbështet operimet e pistës.

Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të ndërtohet nga një konsorcium kompanish, ku 50 për qind e aksioneve zotërohet nga “Mabetex” e sipërmarrësit kosovar Behgjet Pacolli. Vlera e parashikuar e investimit është afërsisht 104 milionë euro.

Aktualisht në Shqipëri është funksional Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” dhe ai i Kukësit “Flatrat e Veriut”, ndërsa për aeroportin e Sarandës, ministrja Balluku tha se do të nisë gara dhe se brenda vitit 2025 pritet të jetë funksional. (Fatosi)