Skënder Brataj (Foto: RTSH)

Skënder Brataj (Foto: RTSH)

Drejtori i Urgjencës Kombëtare në Shqipëri Skënder Brataj mendon se numri i të infektuarve me Covid është shumë më i lartë nga ai që raportohet zyrtarisht. Brataj e vlerëson shumë kritike situatën e Covid-19 për shkak të dezinformimit të qytetarëve nga rrjetet sociale apo nga persona jo profesionistë, të cilët po ndikojnë te qytetarët e prekur nga Covid që mos të kërkojnë ndihmë mjekësore dhe mos të vaksinohen, bën të ditur “RTSH”.

Shefi i Urgjencës Kombëtare beson se shifrat e të infektuarve janë shumë më të larta se ato që raportohen zyrtarisht. Bindjen ai e bazon në të dhënat që merren çdo 24 orë në urgjencë përmes numrit 127 dhe numri i të shtruarve në spital.

Brataj mendon se pandemia në Shqipëri është në momente kritike për shkak se informimi po vjen nga të gjitha anët dhe po interpretohet në mënyrë jo korrekte nga jo profesionistë. Kjo sipas tij ka sjellë që numri real i të infektuarve mos të ekspozohet e për pasojë mos të kërkohet ndihmë pasi nuk besohet në virus dhe nuk besohet në vaksinë.

Në spitale sipas tij ka edhe mosha shumë të reja, duke shfaqur kështu problematikën e kësaj grupmoshe me mbulimin me vaksinë.

Brataj tha se detyra e mjekut është të informojë dhe jo të detyrojë njerëzit të vaksinohen, ndaj çdo e dhënë në këtë drejtim nuk ka pse të interpretohet si presion për t’u vaksinuar, por si një e dhënë e bazuar në fakte dhe shkencë që mbron shëndetin publik. (Elona)