samiti ne Kopenhage, Manastirliu (Foto:faqja zyrtare fb ministrja e Shendetesise)

samiti ne Kopenhage, Manastirliu (Foto:faqja zyrtare fb ministrja e Shendetesise)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi selinë qendrore të UNICEF-it në Kopenhagë, në strukturën e përqendruar të furnizimit të barnave, ku deklaroi se Shqipëria ka financuar 200 mijë vaksina të gripit, të cilat pritet që të vijnë së shpejti.

“Ashtu sikurse në këto vitet e fundit, edhe këtë vit, pavarësisht gjithë vëmendjes që kemi për të rritur disponibilitetin e vaksinave anti-Covid, do të kemi gjithashtu të garantuar për grupet e riskut, edhe vaksinën kundër gripit. Për sa i përket vaksinës së gripit janë më shumë se 200 mijë vaksina të cilat pritet që të vijnë brenda tetorit dhe muajit nëntor. Ky do të jetë kalendari i lëvrimit të vaksinave sipas UNICEF”, -tha Manastirliu.

Duke vlerësuar rolin e UNICEF-it për të gjitha vendet të cilat janë pjesë e instrumentit të Covax-it për të bërë blerjen e qendërzuar dhe shpërndarjen e vaksinave, Manastirliu bëri të ditur se janë në pritje të 144 mijë dozave të vaksinës anti-Covid, që pritet të vijnë falë bashkëpunimit me instrumentin COVAX.

“Ne jemi në pritje që të kemi dhe 144 mijë doza vaksinash të radhës, që presim të vijnë brenda disa javëve, nga bashkëpunimi që kemi me instrumentin e Covax-it. Dhe sigurisht të vijojmë me kalendarin e lëvrimit pasi në tërësi në këtë instrument ne kemi blerë apo parablerë 1 milion e 140 mijë doza vaksine”, -tha Manastirliu.

Duke folur për konsolidimin e programit kombëtar të imunizimit dhe të strategjisë për parandalimin dhe kontrollin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës, Manastirliu tha se po diskutohet me UNICEF përfshirja e vaksinës HPV në kalendarin e vaksinimit.

“Ne jemi duke diskutuar me UNICEF-in, në kuadër edhe të strategjisë që ne kemi për parandalimin dhe kontrollin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës dhe përfshirjen e vaksinës së Human Papiloma virusit, pra HPV-së, në kalendarin e vaksinimit. Jemi në diskutime ende. Por sigurisht që e kemi si objektiv në strategjinë tonë përfshirjen e kësaj vaksine për vajzat e moshës 9-14 vjeç. Ne do ta realizojmë në kuadër edhe të një strategjie që jemi duke elaboruar së bashku dhe të skenarëve përkatës”, -tha Manastirliu. (Elona)