fastnewsalbania

fastnewsalbania

Paga mesatare mujore ka shënuar rritje përgjatë tre 3-mujorëve radhazi.

INSTAT bën të ditur se paga mesatare mujore bruto gjatë tremujorit të dytë 2021 është 56.710 lekë, duke u rritur me 4.7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT-it, gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2.13 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin “bujqësi, pyje dhe peshkim” është 36.7% më e ulët.

Gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin “tregti, transport, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor” ka rritjen më të madhe prej 9.2%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i pasurive të paluajtshme, aktiviteteve shkencore, profesionale dhe teknike; aktiviteteve të shërbimeve administrative dhe mbështetëse prej 0.7%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2021, paga për grup-profesionin e punëtorëve (profesione elementare) ka rritjen më të madhe prej 8.9%, ndërsa për grup-profesionin e nëpunësve ka një rritje më të vogël, prej 0.6%. (Irma)