[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Shqipëria është hequr zyrtarisht nga lista e vendeve të sigurta të Bashkimit Evropian, për shkak të përkeqësimit të situatës së koronavirusit, gjë që nënkupton kufizime në udhëtime për shtetasit shqiptarë.

“Ky vendim nuk paragjykon mundësinë që shtetet anëtare të heqin kufizimin e përkohshëm të udhëtimeve jothelbësore në BE për udhëtarët e vaksinuar plotësisht”, -bëri të ditur përmes një deklarate BE-ja. Përveç Shqipërisë, nga vendet e rajonit të Ballkanit, statusin e sigurt e ka humbur edhe Serbia, ashtu si edhe Azerbajxhani, Brunei, Japonia, Armenia dhe Uruguai, përcjell “Radio Evropa e Lirë”.

Dy javë më herët, Bashkimi Evropian ka hequr nga lista e vendeve të sigurta, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Aktualisht në listën e vendeve të sigurta nga vendet e Ballkanit është vetëm Bosnjë e Hercegovina.

Shteteve u jepet statusi i vendit të sigurt nëse regjistrojnë maksimumi 75 raste pozitive me koronavirus për 100.000 banorë në 14 ditët e fundit.

Bashkimi Evropian përditëson çdo dy javë listën e vendeve që mund të konsiderohen të sigurta, në varësi të situatës lokale epidemiologjike. (Irma)