Inflacioni, që mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, llogaritet 1.2% gjatë muajit mars, ndërsa objektivi i shënjestruar i Bankës së Shqipërisë është 3%.

Një vit më parë inflacioni ishte 2.1%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin mars 2021, krahasuar me shkurt 2021 është 0.7%.

Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me muajin mars 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.1%, pasuar nga grupet “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “komunikimi” me 2.2% secili, “pije alkoolike dhe duhan” me 1.3%, “hotele, kafene dhe restorante” me 1.1%, “shëndeti” me 0.7%, përcjell “ATSH”. Ndërsa çmimet e grupit “transporti” u ulën me 1.6%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 7%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 5.3%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.5%, “peshk” me 3.2%, “bukë dhe drithëra” me 2.5%, “mish” me 1.5%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 1.1%. (Irma)