[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Dyqanet me pakicë, përveç atyre në qendrat tregtare, kanë hapur dyert në pjesën më të madhe të Greqisë pas disa muaj mbylljeje, megjithëse në vend ka një rritje të vazhdueshme të infeksioneve me Covid-19.

Vendimi për të lehtësuar disi masat kufizuese, i marrë nga qeveria pas këshillimit me ekspertët nuk ka qenë aspak i lehtë, por i domosdoshëm pasi vendi po lufton për të dalë nga një recesion edhe më i thellë se ai i krizës ekonomike para një dekade, raporton “Top Channel”.

Në radhë të gjata dhe me takime të mbyllura me anë të telefonit duke respektuar rregullat e reja, qytetarët kanë kryer blerjet e para në kryeqytet. Por qeveria është përballur me protestën e tregtarëve të biznesit të vogël në Selanik, Patra dhe Kozan kur në momentin e fundit është dhënë urdhër të mos hapen dyqanet për shkak të frikës nga një rritje serioze e numrit të të prekurve.

Mbyllja më e gjatë në Evropë ka shkaktuar presion mbi ekonominë greke, që është tkurrur me 8.2% vitin e kaluar, ndërsa edhe borxhi kombëtar është rritur në mbi 200% të PBB-së.

Autoritetet shëndetësore raportuan përsëri në 24 orët e fundit rekord të intubuarish, 759, gati 1900 infeksione të reja, por dhe numër të lartë viktimash, 73 me një numër total viktimash prej 8453. Ndërkohë rreth 1.9 milionë qytetarë janë vaksinuar, prej të cilëve rreth 670.000 edhe me dozën e dytë. (Elona)