Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, prezantoi programin për turizmin, duke premtuar se do të bëjë një ndryshim të madh në këtë sektor duke zgjatur sezonin, i cili sipas tij do të sjellë rritje të punësimit dhe të ekonomisë në Shqipëri.

Gjatë prezantimit të programit Basha tha se me ardhjen në pushtet, do të rritet kohëzgjatja e sezonit turistik, përmes diversifikimit të ofertave turistike bregdetare, malore, rurale, kulturore.

“Turizmi është një nga bazat e gjithë ekonomisë tonë kombëtare. Angazhohem të dyfishojmë kapacitetet akomoduese, duke hapur kështu dyert për më shumë turistë. E për pasojë do të kemi më shumë vende të reja pune”, -tha Basha.

Kryedemokrati shtoi se do të rrisë kontributin e drejtpërdrejtë nga turizmi në ekonominë tonë nga 8 në 10% si dhe do të dyfishojë kontributin në punësim nga rritja e turizmit në ekonomi në 80.000 vende pune. Me zgjatjen e sezonit turistik, Basha tha se do të rrisë numrin e turistëve të huaj me 15% në vit. (Elona)