Pasagjerët që mbërrijnë në Tiranë nga Anglia e kanë detyrim karantinimin për 14 ditë. “Tirana Airport Partners” solli në vëmendje të pasagjerëve që mbërrijnë në Shqipëri nga Anglia se nëse këta shtetas nuk përmbushin këtë detyrim, do të gjobiten, shkruan “Atsh”.

“Pasagjerët që mbërrijnë në Tiranë duhet të respektojnë detyrimin e autokarantinimit për 14 ditë menjëherë sapo të vijnë në Shqipëri, ndryshe do të përballen me penalitete financiare në bazë të Aktit Normativ të autoriteteve shëndetësore shqiptare”, -thuhet në deklaratën e TIA-s.

Prej 22 dhjetorit 2020, Shqipëria vendosi ndalimin e fluturimeve drejt Britanisë së Madhe pas shfaqjes së variantit të ri të virusit Covid-19.

Po ashtu, vendosi masën e karantinës së detyruar 14 ditore për emigrantët që vijnë nga Britania, si në rrugë ajrore ashtu edhe tokësore. Në rast të shkeljes së kësaj mase, ndaj këtyre personave ngarkohet masa administrative në vlerën 700 mijë lekë.

Ndërkohë të gjithë udhëtarët do të duhet të kenë një test negativ të koronavirusit për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar nga java e ardhshme. (Irma)