Me rastin e Vitit të Ri 2021, ambasada kineze në Shqipëri zhvilloi veprimtari festive në mënyrë virtuale, duke u dërguar urime popullit shqiptar dhe shtetasve kinezë që jetojnë në Shqipëri.
Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding u shpreh në fjalimin e tij se, përballë krizës globale të shëndetit publik, Kina dhe Shqipëria kanë qëndruar krah për krah, dhe kanë luftuar së bashku ndaj pandemisë. Të dy vendet kanë nxitur në mënyrë të qëndrueshme bashkëpunimin ekonomik-tregtar dhe kanë thelluar vazhdimisht shkëmbimet kulturore e njerëzore, duke shkruar një faqe të re në miqësinë kino-shqiptare. Ambasadori Zhou tha më tej se qeveria shqiptare ka forcuar procesin e reformës dhe parandalimin e kontrollin e pandemisë, si edhe ka bërë përpjekje për rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019, duke ngulur këmbë në multilateralizmin dhe duke bërë përparime në rrugën e integrimit europian. Sipas tij, qeveria kineze ngul këmbë te parimi i vënies së njeriut dhe jetës në plan të parë, e ka zhvilluar luftën për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë në mënyrë shkencore, dhe ka zbatuar politika me objektiva të saktë, duke kontrolluar me sukses gjendjen e epidemisë në Kinë dhe duke realizuar rritjen ekonomike. Ndërkohë, Kina ka nxitur gjithashtu strategjinë e zhvillimit të gjelbër e të vazhdueshëm dhe ka realizuar 10 vjet përpara afatit objektivin e zhdukjes së varfërisë të Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm të vitit 2030 të OKB-së, duke bërë edhe premtimin serioz që do ta arrijë kulmin e lëshimit të karbonit brenda vitit 2030. Qysh nga ky vit, sipas “Planit të 14-të pesëvjeçar" dhe objektivave afatgjatë të vitit 2035, qeveria kineze do të bazohet në fazën e re të zhvillimit, do të zbatojë konceptin e ri të zhvillimit dhe do të ndërtojë modelin e ri të zhvillimi, si edhe do të promovojë zhvillimin me cilësi të lartë, do të ofrojë më shumë mundësi tregu e do të krijojë më shumë hapësira bashkëpunimi për vendet e botës, përfshirë Shqipërinë.

Redaksia e gjuhës shqipe e Grupit Mediatik të Kinës (CMG), Shoqata e Muzikantëve e Pekinit, Akademia e Kërcimit e Pekinit, Trupa e Operës së provincës Sichuan dhe studentë nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit dërguan urime dhe dhanë shfaqje të mrekullueshme. Pjesët“Uverturë festive” dhe “Hëna e plotë", të interpretuara me vegla muzikore tradicionale, shpërfaqën mrekullinë e veçantë të muzikës popullore kineze me melodi të këndshme dhe ritëm të gëzuar. “Butësi në qytezën e lashtë” ishte një numër me valle dhe akrobaci, që shpreh bukurinë e kulturës kineze dhe mjeshtërinë e lartë akrobatike. Vallja popullore “Ndjenjat e lumit Huai, përkulja e orkidës” shfaqi një pamje të atmosferës së kohës së lashtë. Studentë të gjuhës shqipe nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit kënduan në gjuhën shqipe këngën mjaft të pëlqyer kineze“Mojito”. Redaksia e gjuhës shqipe e CMG-së ftoi persona nga shtresa dhe mosha të ndryshme për të përcjellë urime për Vitin e Ri për miqtë shqiptarë.

Televizionet shqiptare "Top Channel" dhe "Klan" e pasqyruan këtë veprimtari festive, ndërsa ambasada kineze e ka publikuar në faqen e saj në "Facebook" dhe "Twitter" . Miqtë shqiptarë e vlerësuan lart programin festiv për risitë dhe interpretimet e mrekullueshme. Ata u shprehën se fjalimi i ambasadorit Zhou ishte frymëzues, duke shprehur urimet dhe shpresat e tij për zhvillimin e ardhshëm të Kinës dhe të marrëdhënieve kino-shqiptare. (Fang Xiaoyu/Artan Goga)