Banka Botërore do të mbështesë me 16.8 milionë dollarë qeverinë shqiptare në kuadër të projektit për përballimin e emergjencës së Covid-19. Në një raport të fundit të publikuar nga ky institucion bëhet e ditur se tashmë që marrëveshja ka marrë miratimin e Kuvendit, projekti pritet të bëhet efektiv nga data 5 janar. Kjo i jep mundësi qeverisë që të fillojë menjëherë punën dhe disbursimin e parave, transmeton “RTSH”.

Projekti “Përgjigjja e Shqipërisë ndaj emergjencës Covid-19” përbëhet nga dy komponentë, ku i pari me një vlerë 16.25 milionë dollarë parashikon mbështetjen e sektorit shëndetësor në mënyrë të menjëhershme dhe në afatmesme, ndërkohë që 0.55 milionë dollarë janë parashikuar në komponentin e dytë që lidhet me menaxhimin e projektit.

Në detaje projekti parashikon plotësimin me kite dhe reagentë të laboratorëve, përqindjen e rasteve me Covid-19 të punonjësve të mjekësisë, ndërhyrjet në infrastrukturën e spitalore, ambulancat mjekësore dhe spitalet rajonale.

Më herët në projektin e saj paraqitur Bordit të BB-së, qeveria shqiptare nënvizonte se kërkonte ndihmë për të siguruar një testim të gjerë të popullatës (përfshirë testimin serologjik më të ri); forcimin e mbikëqyrjes dhe gjurmimit të kontaktit. (Elona)