Një tjetër garanci financiare pritet të lëshohet nga qeveria shqiptare, këtë herë e targetuar për eksportuesit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi gjatë një interviste televizive se po diskutohet për një garanci të tretë financiare, e cila ndryshe nga dy të parat që u orientuan te ndihma universale, do të jetë e targetuar kryesisht tek eksportuesit që po hasin vështirësi me likuiditetin, shkruan “ATSH”.

Denaj bëri të ditur se është monitoruar situata për të kuptuar se për çfarë ka nevojë biznesi pas kalimit të emergjencës.

“Në diagnozën paraprake rezulton se bizneset që kanë lidhje dhe marrëdhënie me eksportin e mallrave kanë nevojë për likuiditet. Këta mund të përfitojnë edhe nga garancia e dytë financiare, por ne vëmë re se bankat janë të ngurta dhe për këtë segment të biznesit çështja kohë vlen shumë, ndaj ne po shikojmë që t’i mbështesim në kohë më të shpejtë eksportuesit me kapital qarkullues”, u shpreh ministrja.(Redaktoi: Zhang Yan)