Gjermania, Franca, Britania, Italia dhe Spanja kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me vendimin e Izraelit për të vazhduar ndërtimin e banesave në vendbanimet në Bregun Perëndimor, shkruan “Anadolu Agency”.

Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga pesë vendet, thuhet se zgjerimi i vendbanimeve nga ana e Izraelit shkel ligjin ndërkombëtar.

Në deklaratë po ashtu thuhet se ky qëndrim i Izraelit rrezikon arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme midis Izraelit dhe Palestinës.

"Jemi thellësisht të shqetësuar për vendimin e Izraelit për të vazhduar ndërtimin e më shumë se 4900 njësive të banimit në Bregun Perëndimor. Në sfondin e zhvillimeve pozitive që rezultojnë nga marrëveshjet e normalizimit midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, ky është një hap kundërproduktiv”, thuhet në deklaratën e vendeve evropiane, ku theksohet se ky veprim i Izraelit minon përpjekjet për ndërtimin e besimit midis palëve për të rifilluar dialogun me Palestinën.