Gjatë dekadës së ardhshme, Komisioni Evropian synon që të investojë deri në 20 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një plan investimi të siguruar nga “Radio Evropa e Lirë”.

Draft-dokumenti thekson se prioritet do të jenë lidhjet më të mira të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, brenda rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian.

“Një gjë e tillë kërkon një angazhim të fuqishëm nga Ballkani Perëndimor për zbatimin e reformave themelore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime”, -thuhet në dokument.

Paketa po ashtu parashikon që, përveç granteve, Bashkimi Evropian të ofrojë garanci që ndihmojnë në uljen e kostove për investime publike dhe private dhe, në këtë mënyrë, zvogëlojnë rreziqet për investitorët.