Zonja Zhou Zhihong, zëvendës drejtorja e Televizionit Publik Kinez u shpreh se firmosja e kësaj marrëveshjeje është e rëndësishme për të dyja palët dhe do të sjellë impulse mjaft pozitive në prodhimet televizive dhe radiofonike si në Kinë ashtu edhe në Shqipëri. "Jam shumë e lumtur që ne arritëm të nënshkruanim një marrëveshje e cila synon shkëmbimin e kulturave tona përmes prodhimeve të larmishme televizive. Kërkoj që ta rrisim këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen sidomos në fushën e dokumentarëve. Ne kemi një marrëveshje egzistuese dhe vlerësimi im është shumë i veçantë për këtë arritje. Në emër të Departamentit të Bashkëpunimit me jashtë të Administratës së Radio Televizionit të Kinës, ne duam dhe shpresojmë që ky bashkëpunim të zgjas përgjithmonë" u shpreh zëvendës drejtorja e Televizionit Publik Kinez.
Për ambasadorin kinez në Shqipëri zotin Zhou Ding, marrë veshja po hap një dritare të re që shqiptarët ta njohin Kinën në rrugëtimin e saj të zhvillimit dhe transformimit. "Miqësia Kino-Shqiptare po mbush 7 dekada në egzistencën e saj dhe pikërisht një rol të rëndësishëm në këtë miqësi kanë edhe dy televizionet tona Publike. Ne mendojmë se po çelet një dritare e re që kjo miqësi të forcohet edhe më shumë, sidomos kur përmes bashkëpunimit të prodhimeve televizive, dokumentarëve, filmave për të rritur e fëmijë, të dy popujt tanë mund të njohin ndryshimet dhe kulturat e njëri tjetrit në një optikë të vërtetë. Në emër të shtetit kinez por edhe popullit tim, e përshëndes dhe e mbështes fuqishëm këtë marrëveshje" tha zoti Ding .
Në kuadër të 70 vjetorit të vendosjes së miqësisë Kinë-Shqipëri, të dy televizionet publike po kërkojnë që të thellojnë bashkëpunimin për prodhimet televizive të përbashkëta. Drejtuesit e lartë të Radio Televizionit Shqiptar përmes kësaj marrëveshjeje do të mundësojnë infrastrukturën e nevojshme për ekipet e Televizionit Kinez që ata të mund të bëjnë punën e pavarur në Shqipëri, ndërkohë që pala kineze do të vazhdojë të presë gazetarë të RTSH për trajnime e specializime të profileve të ndryshme në fushën e televizionit.(nga RTSh-ja)