Foto:VCG

Foto:VCG

Përpjekjet për të sfiduar parimin e njohur gjerësisht të "Një Kine" janë të destinuara të dështojnë, u shpreh të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian në përgjigje të përdorimit të dokumenteve të pavlefshme historike nga një ekspert amerikan.

Në një artikull të tij, Michael Rubin, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Amerikan të Sipërmarrjes, pretendon se "politika e 'Një Kine' është një gënjeshtër". Ai citon të ashtuquajturin Traktat të Paqes të San-Franciskos, duke thënë se ky traktat përmend vetëm që Japonia heq dorë nga të gjitha të drejtat, titujt dhe pretendimet ndaj Tajvanit dhe ishujve Penghu, por nuk ia kaloi sovranitetin asnjë shteti tjetër.

Në një konferencë të rregullt për shtypin, zëdhënësi i diplomacisë kineze theksoi se artikulli në vetvete është një gënjeshtër që përpiqet të errësojë dhe godasë parimin e "Një Kine" dhe ta përdorë çështjen e Tajvanit për të frenuar Kinën.

Rubin-i përhap thashetheme në emër të studiuesve dhe institucioneve kërkimore nën petkun akademik dhe përmbajtja e artikujve të tij bie qartë në kundërshtim me faktet historike dhe ligjore, theksoi Zhao.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara e përjashtuan Kinën dhe Bashkimin Sovjetik kur arritën të ashtuquajturin Traktat të Paqes të San-Franciskos pas Luftës së Dytë Botërore.

Zhao vuri në dukje se traktati shkel dispozitat përkatëse të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara, të nënshkruara në vitin 1942 nga 26 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, si dhe Kartën e OKB-së dhe normat bazë të së drejtës ndërkombëtare.

"Pikat e traktatit mbi sovranitetin dhe territorin e Kinës, e cila nuk ishte palë nënshkruese, janë të paligjshme dhe të pavlefshme," tha Zhao.

Ai vuri në dukje se qeveria kineze ka deklaruar solemnisht që në fillim se i ashtuquajturi Traktat i Paqes i San-Franciskos është i pavlefshëm, pasi është përgatitur, hartuar dhe nënshkruar pa pjesëmarrjen e Republikës Popullore të Kinës dhe nuk do të jetë njihet kurrë nga qeveria kineze.

Edhe vende të tjera, si Bashkimi Sovjetik, Polonia, Çekosllovakia, Republika Popullore Demokratike e Koresë, Mongolia dhe Vietnami, nuk pranuan ta njohin vlefshmërinë e "traktatit të paqes", theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian.