VCG

VCG

Ekonomia kineze është rritur me hapa të mëdhenj gjatë dekadës së fundit, ndërsa Kina e ka zhvendosur fokusin e vet drejt zhvillimit me cilësi të lartë, duke forcuar përpjekjet për krijimin e risive dhe politikat makroekonomike.

Kina zinte mbi 18 % të ekonomisë globale vjet, nga 11.3 % në vitin 2012, kurse PBB-ja e saj gjatë së njëjtës periudhë arriti nga 53.9 trilionë juanë në 114.4 trilionë juanë (17.1 trilionë dollarë amerikanë), bëri të ditur zëvendëskryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës Zhao Chexin në një konferencë shtypi të martën. Po në periudhën nga viti 2012 deri më 2021, PBB-ja për frymë e vendit u rrit nga 6 300 në mbi 12 000 dollarë.

Po ashtu, Kina ka nxitur hapjen në një nivel më të lartë, duke optimizuar mjedisin e biznesit dhe duke rritur bashkëpunimin në kuadër të "Një brez, një rrugë". Ajo ka nxitur ndërtimin e 21 zonave pilot të tregtisë së lirë dhe ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi lidhur me "Një brez, një rrugë" me 149 vende dhe 32 organizata ndërkombëtare.

Përdorimi real i investimeve të huaja të drejtpërdrejta nga Kina u rrit në 1.15 trilionë juanë vjet, duke u renditur i dyti në botë, 62.9 për qind më shumë së më 2012, tha Su Wei, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës.

Numri i kompanive private kineze u katërfishua në dekadën e fundit në kushtet e përpjekjeve për të optimizuar mjedisin e biznesit, duke arritur nga 10.85 milionë më 2012 në 44.57 milionë vitin e kaluar, shtoi Su.

Për sa u përket investimeve në pasuri fikse, një numër projektesh të mëdha kanë nisur në sektorë të tillë si 5G, qendrat e të dhënave, administrimi i ujit, hekurudhat dhe energjetika, ndërsa investimet në arsim, shëndetësi, projekte të banesave ekonomike dhe mbrojtjen ekologjike e mjedisore kanë pasur rritje të shpejtë.

Të dhënat e Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës tregojnë që, nga viti 2013 deri vjet, në Kinë u kryen 409 trilionë juanë investime në pasuri fikse, me një rritje mesatare vjetore prej 7.8 për qind.

Duke i kushtuar rëndësi të madhe zhvillimit me lëshim të ulët karboni, Kina ka shpallur objektivin dhe vizionin e përpjekjes për të arritur kulmin e lëshimit të dioksidit të karbonit brenda vitit 2030 dhe arritjen e asnjanësimit të karbonit deri në vitin 2060.

Në vitin 2021, konsumi i energjisë për njësi të PBB-së i Kinës u ul 26.2 për qind krahasuar me vitin 2012. Kapaciteti i instaluar i energjisë së përtëritshme të vendit arriti në 1 miliard kilovat, teksa Kina ka kontribuuar gjithashtu për një të katërtën e zonës së re të pyllëzuar të shtuar globalisht.