Foto nga VCG

Ndërmarrjet shtetërore të administruara nga pushteti qendror i Kinës do të ndihmojnë bizneset e vogla në vështirësi të adresojnë problemet urgjente dhe të mbështesin rritjen, thuhet në një qarkore të publikuar nga Komisioni i Mbikëqyrjes dhe Administrimit të Pasurive Shtetërore i Këshillit të Shtetit, citon “Xinhua”.

Sipas qarkores, ndërmarrjeve shtetërore u kërkohet të paguajnë borxhin ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në kohën e duhur, madje dhe të parapaguajnë disa pagesa për kompanitë që mund të jenë duke përjetuar vështirësi.

Komisioni kërkoi zbatimin e qarkores së marsit për lehtësimin e qirasë tre deri në gjashtë muaj për bizneset e vogla që janë qiramarrëse të ndërmarrjeve shtetërore qendrore dhe kërkoi që përjashtimi tremujor mbarëkombëtar të kryhet deri në gjysmën e parë të vitit.

Për të reduktuar kostot operative dhe për të lehtësuar financimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, qarkorja përshkruan masat duke përfshirë çmime më të ulëta për energjinë elektrike dhe shërbimet e internetit, si dhe shtyrjen e shlyerjes për kreditë e kamionëve komercialë.

Duke vënë në dukje se perspektivat e bizneseve të mëdha dhe të vogla janë të ndërthurura ngushtë përgjatë zinxhirit të industrisë, komisioni bëri thirrje për zbatimin e shpejtë të disa projekteve të mëdha të planifikuara deri në vitin 2025 për të nxitur kërkesën për produkte dhe shërbime nga këto ndërmarrje.

Të dhënat zyrtare treguan se ndërmarrjet shtetërore qendrore bënë blerje në vlerën 13 trilionë juanë (rreth 1.95 trilionë dollarë amerikanë) vitin e kaluar për të përfituar mbi 2 milionë firma, shumica e të cilave janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. (Irma)