Të martën në mbrëmje, në Pekin u mbyll videokonferenca e ekspertëve të Forumit të Xiangshan-it të Pekinit të vitit 2021. Brenda dy ditëve, 50 ekspertë nga mbi 20 vende bënë shkëmbime dhe diskutime të thella mbi tema si marrëdhëniet mes vendeve të mëdha dhe siguria e Azi-Paqësorit, multilateralizmi dhe sistemi ndërkombëtar etj. Ata ishin në përgjithësi të mendimit se duhet të këmbëngulet në multilateralizmin e bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, duke ruajtur së bashku paqen dhe stabilitetin botëror.

Ky forum u zhvillua në sfondin e gjendjes serioze të sigurisë globale. Së pari, epidemia e COVID-19 po përhapet në botë prej afro dy vjetësh, duke përbërë një kërcënim të madh për sigurinë e jetës së njerëzve. Së dyti, ShBA-ja ndërmerr veprime të njëanshme në emër të multilateralizmit, duke shkaktuar kundërvënie në rajonin e Azi-Paqësorit.

Në këtë forum, ekspertët pjesëmarrës bënë diskutime të thella mbi ndikimet negative të ShBA-së për sigurinë e Azi-Paqësorit. Disa prej tyre vunë në dukje se shumë nga konfliktet në rajonet e ndryshme të botës janë shkaktuar nga sistemi i aleancave i ShBA-së. Ish-ambasadori amerikan në Kinë James Stapleton Roy sugjeroi se ShBA-ja duhet të marrë masa më përfshirëse në rajonin e Indo-Paqësorit dhe të nxitë paqen dhe lulëzimin së bashku me Kinën dhe vendet e tjera.

Edhe aksidenti i përplasjes së nëndetëses bërthamore amerikane "Connecticut" u diskutua nga ekspertët pjesëmarrës. Studiuesja e Akademisë së Shkencave Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës Jiang Xinfeng është e mendimit se pas aksidentit të përplasjes së nëndetëses amerikane, pala amerikane nuk e shpjegoi hollësisht këtë gjë. Komuniteti ndërkombëtar ka shumë dyshime për vërtetësinë e aksidentit dhe qëllimet e palës amerikane.

Kryetari i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare të Rusisë Andrey Kortunov vuri në dukje: "Vendet rajonale duhet të formojnë sistemin e administrimit të përbashkët të krizave e të përpiqen për të bashkëpunuar në problemet e përbashkëta të sigurisë si ndryshimi i klimës, përhapja e armëve bërthamore, terrorizmi etj., duke rikthyer besimin e ndërsjellë."

Në të njëjtën kohë, ekspertët diskutuan shumë lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane. Drejtori i Institutit të Studimeve të Përparuara mbi Kinën Moderne dhe Botën pranë Universitetit të Gjuhës Kineze të Hong-Kongut të Kinës, Zheng Yongnian, është i mendimit se vendet kryesore duhet të ruajnë gjakftohtësinë dhe të kërkojnë projektin e zgjidhjes në mençuri. Marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Kinës nuk janë thjesht marrëdhënie dypalëshe dhe rendit global i nevojitet mbështetja e Kinës dhe ShBA-së.

Grupi Mediatik i Kinës (CMG) është i mendimit se Forumi i Xiangshan-it i Pekinit tregon se pala kineze këmbëngul në konceptin e bashkëpunimit dhe përfitimeve të përbashkëta, kontribuon me mençurinë dhe forcën e saj për qëndrueshmërinë dhe paqen botërore, duke shfaqur përgjegjësinë e Kinës si një vend i madh.(Xu Guang)